“Shpejt, shpejt, kape”/ Pamjet e aksionit brenda në hotel, Flodian Plaku me dy pistoleta në tavolinën ku po konsumonte drekën

04/08/2025 10:27

Policia e Vlorës ka publikuar pamjet e aksionin në hotelin në Orikum, ku fshihej Flodian Plaku, i dyshuar për vrasjen e Gentjan Bejtjës.

Gjatë kontrollit fizik dhe në ambientet ku qëndronte, u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri pistoletë, me një krehër dhe 17 fishekë, 25 000 euro cash dhe 7 celularë. Sikurse duket nga videoja, në tavolinën ku po konsumonte drekë, Plaku kishte vendosur dy pistoleta.

Gjatë ndërhyrjes policore në hotelin ku fshihej, së bashku me shtetasin Flodian Plaku, u kap edhe shtetasi Julian Aliaj alias Julian Pashaj, 43 vjeç, i cili gjatë operacionit u kap me një armë zjarri pistoletë me një krehër me fishekë.

Gjatë hetimeve të thelluara mbi këtë rast, u evidentua se shtetasit A. L, 36 vjeç, banues ne Vlorë, A. D, 31 vjeç banues ne Vlore dhe L. D, 57 vjeç, banues në Tiranë, kanë ndihmuar në strehimin, komunikimin dhe lëvizjen e shtetasit në kërkim Flodian Plaku. Ata u arrestuan ne flagrancë për veprën penale Përkrahja e autorit të krimit“, njofton policia.

Për 42-vjeçarin, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim”, e kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit”.

Plaku akuzohet për vrasjen e shtetasit Gentjan Bejtjës, i cili u qëllua me armë zjarri brenda rrethimit të banesës së tij. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se autorët janë afruar te banesa e viktimës, me një automjet tip “Land Rover” dhe pas kryerjes së vrasjes, janë larguar në fshatin Hasan, ku kanë djegur automjetin.

Top Channel