Publikohet raporti: Studentët kinezë ‘sy e veshë’ për qeverinë e tyre në Britani! Kina u kërkon të shpinojnë…

04/08/2025 09:48

Një raport i ri i publikuar nga Grupi i Transparencës Britani-Kinë (UKCT) ka ngritur shqetësime serioze mbi përpjekjet e qeverisë kineze për të ndikuar në ambientet universitare në Mbretërinë e Bashkuar, përmes presionit të ushtruar mbi studentët kinezë dhe ndërhyrjeve të tjera të fshehta.

Sipas raportit, BBC transmeton se disa studentë kinezë janë nxitur nga autoritetet e vendit të tyre që të spiunojnë bashkëmoshatarët dhe të raportojnë diskutimet që konsiderohen të ndjeshme për qeverinë kineze, si situata në Xinjiang, pandemia e Covid-19 apo rritja e kompanive kineze të teknologjisë.

Raporti vjen në një kohë kur në Britaninë e Madhe ka hyrë në fuqi një ligj i ri që forcon mbrojtjen e lirisë akademike dhe lirisë së fjalës në universitete. Institucionet e arsimit të lartë mund të përballen me gjoba të majme, nëse nuk ndërmarrin masa për të ruajtur këto liri, edhe kur kanë bashkëpunime me vende të tjera.

Paralajmërime për censurë në auditorë

UKCT tregon se disa pedagogë janë paralajmëruar nga zyrtarë kinezë që të shmangin temat e ndjeshme gjatë mësimdhënies. Në raste të tjera, akademikë kinezë me fokus në kërkime të ndjeshme kanë raportuar kërcënime ndaj familjarëve të tyre në Kinë, si dhe refuzim vizash për të udhëtuar ose për të vazhduar punën akademike.

Ndikimi, sipas raportit, ka krijuar një klimë frike dhe autocensure në disa auditore britanike. Studentë të kombësive të ndryshme shprehen se ndihen në siklet kur preken tema që lidhen me politikat e Kinës, ndërsa ngurrojnë të ndjekin studime të mëtejshme në këto fusha.

Vëmendje ndaj Instituteve Konfuci

Një pjesë e raportit ndalet edhe te roli i Instituteve Konfuci, që funksionojnë në disa universitete britanike si qendra për gjuhën dhe kulturën kineze. Ato financohen nga një agjenci shtetërore kineze dhe janë kritikuar për lidhjet e tyre të dyshimta me Partinë Komuniste Kineze.

Zyra për Studentët në Britani (OfS), që mbikëqyr arsimin e lartë, ka theksuar se çdo marrëveshje bashkëpunimi që rrezikon lirinë e fjalës duhet të rishikohet ose të ndërpritet. Po ashtu, një sistem i ri ankesash pritet t’u japë mundësi pedagogëve dhe folësve të ftuar të raportojnë ndërhyrjet ose presionet nga jashtë.

Ministrja britanike: Nuk do të tolerojmë ndërhyrjet

Ministrja britanike për Aftësitë, Jacqui Smith, tha se çdo përpjekje për të frikësuar ose kërcënuar individë në Britani nga një shtet i huaj është e papranueshme.

“Liria akademike është e panegociueshme në institucionet tona. Universitetet duhet të bëjnë detyrën e tyre për ta mbrojtur këtë të drejtë, përndryshe do të përballen me pasojat”, tha ajo, duke kujtuar edhe gjobën rekord prej 585 mijë paundësh, që është vendosur më herët këtë vit ndaj një universiteti për shkelje të ngjashme.

Nga ana tjetër, ambasada kineze në Londër i ka quajtur akuzat “të pabazuara dhe absurde”, duke thënë se Kina respekton lirinë e fjalës brenda dhe jashtë vendit.

Top Channel