“Letra për OSBE nuk ishte ndërhyrje dhe aq më pak presion”, Ministria e Jashtme i përgjigjet Berishës: Paraqitëm sqarime, vendimin për t’i përfshirë e ka Misioni

04/08/2025 16:27

Ministria e Jashtme ka reaguar pas deklaratave të kreut të PD, Sali Berisha.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë konferencës me gazetarët ka publikuar letrën e ministrit për Europën dhe Punësh e Jashtme, Igli Hasani ndaj përfaqësuesve të misioneve ndërkombëtare të vëzhgimit në lidhje me zgjedhjet e 11 majit.

Kryedemokrati e cilëson këtë letër si skandaloze, ndërsa shton se raporti duhet të pasqyrojë me saktësi realitetin e zgjedhjeve.

Letra, e datës 12 maj, është adresuar për Farah Karimi, koordinatore speciale e OSBE-së, si dhe për përfaqësues të misioneve të ODIHR-it, Parlamentit Europian dhe Këshillit të Europës, mes tyre Lamberto Zannier, Bjorn Soder, Simone Billi dhe Michael Gahler.

“Në lidhje me pretendimet e sotme të Kryetarit të Partisë Demokratike mbi letrën e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme drejtuar institucioneve ndërkombëtare të përfshira në vëzhgimin e zgjedhjeve të 11 Majit 2025 në Shqipëri, sqarojmë se:

Siç është e qartë dhe në letrën e përmendur, nuk bëhet fjalë për ndërhyrje në punën e Misionit të vëzhguesve të ODIHR, dhe aq më pak presion ndaj tyre.

Është në praktikën normale të çdo procesi zgjedhor, që autoritetet e shtetit pritës të përcjellin pranë Misionit vëzhgues saktësime teknike dhe kontekst lidhur me gjetjet e raportit paraprak, për të cilat vlerësohet se janë të nevojshme për t’u konsideruar në një raport përfundimtar të bazuar në fakte dhe prova.

Edhe në rastin në fjalë, janë paraqitur sqarime që janë vlerësuar se mund të merren parasysh nga raportuesit gjatë hartimit të Raportit përfundimtar. Sigurisht, marrja në konsideratë apo jo e sqarimeve, është ne diskrecionin e plotë të Misionit vëzhgues.

Kujtojmë se edhe vetë ODIHR ka reaguar më parë që nuk ka pasur një presion të tillë.

MEPJ mbetet gjithmonë e angazhuar për të respektuar pavarësinë dhe integritetin e çdo mekanizmi vëzhgues në përputhje me mandatin që i është ngarkuar nga ODIHR”, theksohet në njoftim.

Top Channel