Gushti sjell më shumë turistë! Mbi 2 mijë pasagjerë mbërritën dje me tragete nga Brindizi

04/08/2025 15:24

E diela e kësaj fundjave që lamë pas shënoi një fluks turistësh në Portin e Vlorës.

Në dy tragetet që mbërritën nga Brindizi u regjistruan 1236 pasagjerë, ndërkohë trageti i tretë i ardhur pasdite e çoi numrin e pasagjerëve që zbritën në portin e Vlorës më shumë se 2 mijë.

Kjo për mua është hera e tretë që vij në Vlorë. Më pëlqen shumë të pushoj këtu”, shprehet një turiste.

Muaji gusht duket se ka nisur me ritme të larta në Vlorë, duke përmbushur pritshmëritë për një sezon turistik të mbushur me vizitorë nga brenda dhe jashtë vendit. Autoritetet portuale bëjnë me dije se fluksi ka qenë në rritje që prej fundit të korrikut, ndërsa piku pritet të arrihet gjatë javës së dytë të gushtit.

Masat e sigurisë dhe të menaxhimit të fluksit janë përforcuar. Në port janë vënë në funksion të gjitha sportelet dhe shërbimet mbështetëse, duke garantuar një proces të shpejtë dhe të sigurt zbarkimi për udhëtarët. Operatorët turistikë dhe bizneset vendase e shohin këtë rritje si një sinjal pozitiv për ekonominë lokale. Sipas tyre, Vlorës i është shtuar dukshëm vëmendja e turistëve, falë përmirësimeve të vazhdueshme në infrastrukturë, bregdetit të pasur dhe ofertës së larmishme kulturore, kulinare dhe natyrore.

Top Channel