
Flodian Plaku, që u arrestua sot në Orikum, teksa u kap me dy armë zjarri me vete, është një nga tre të akuzuar për vrasjen e Gentjan Bejtjes.
41-vjeçari konsiderohej nga policia me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe me precedent të mëparshëm penal.
Për Plakun, i cili mban edhe mbiemrat Seriani dhe Mamo, i shpallur në kërkim që më 26 korrik, policia kreu disa aksione në Vlorë dhe në qytete të tjera për arrestimin e tij dhe kur të gjitha rezultuan të pasuksesshme. Ai u shpall në kërkim ndërkombëtar, ndërsa arrestimi u bë i mundur sot.
Për eliminimin e Bejtjes, thellimi i hetimeve ngarkoi me veprën e vrasjes me dashje dhe Ilir Beqarajn të arrestuar disa ditë pas ngjarjeve.
Sipas hetuesve Beqaraj me makinën e Edison Haxhiut largoi autorët nga fshati “Hasan”, ku dogjën makinën, drejt Bubqit. Ndërsa për Haxhiun rëndon vetëm akuza e ‘Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje’. Personat që u përfshinë në vrasjen e Bejtjes dyshohet se ishin njerëzit e Roan Brahimit, i ekzekutuar në një atentat një vit më parë në Athinë.
Gentjan Bejtja u qëllua me breshëri automatiku pasditen e 15 marsit. Më herët, ai i kishte shpëtuar disa atentateve po kurrë nuk bashkëpunoi me autoritetet për të treguar se kush e donte të vdekur. Më 4 Korrik 2023, po në të njëjtin vend dhe me të njëjtin mekanizëm, atij iu vra kunati Ramazan Sino, 29 vjeç, dhe iu plagosën 2 djemtë e tij.
Top Channel