
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka regjistruar një procedim penal në lidhje me një ngjarje të rëndë që ka ndodhur më 23 korrik 2025 në fshatin Frashër.
Tre persona po procedohen penalisht për dy vepra të rënda penale: “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, e kryer në bashkëpunim, si dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Sipas hetimeve paraprake, rreth orës 21:16 të asaj dite, një telefonatë në Sallën Operative të Fierit raportoi një incident në banesën e një shtetasi që dyshohej se ishte rrëzuar në banjë. Ambulanca që mbërriti në vendngjarje konstatoi se shtetasi Anesti Rama, i gjetur i shtrirë në sallonin e shtëpisë, kishte ndërruar jetë.
Fillimisht, vajza dhe bashkëshortja e të ndjerit deklaruan se ai ishte rrëzuar aksidentalisht në tualet. Madje, e kishin larë dhe veshur për të nisur përgatitjet për ceremoninë mortore, si dhe kishin pastruar ambientin ku kishte ndodhur ngjarja. Por grupi hetimor, pas ekzaminimeve të para, konstatoi dëmtime në kokë dhe fytyrë, duke ngritur dyshime për një vdekje të dhunshme.
Në vijim të hetimeve dhe pas përdorimit të metodave proaktive hetimore, u bë arrestimi në flagrancë i vajzës së të ndjerit, shtetases Emanilda Rama, e dyshuar për kryerjen e veprës penale të vrasjes në bashkëpunim. Bashkëshortja e viktimës, Valbona Rama, u arrestua për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës, ndërsa një tjetër shtetas, Çlirim Dogani, u ndalua si i dyshuar për bashkëpunim në vrasje, i cili më pas u zbulua se kishte një lidhje me autoren.
Prokuroria ka kërkuar vleftësimin e ligjshëm të arrestimeve dhe caktimin e masës së sigurimit “arrest në burg” për të tre të hetuarit, kërkesa që janë pranuar nga Gjykata e Fierit.
Organet e drejtësisë shprehin angazhimin për të çuar para përgjegjësisë ligjore çdo person të përfshirë në vepra penale kundër jetës.
Top Channel