Mund të jesh nesër një ekspert digjital, një specialist në komunikim, apo një diplomat; edhe nëse studion në Akademinë e Forcave të Armatosura.

Për të gjithë maturantët me mesatare mbi 6.5, aplikimet janë të hapura deri më 3 gusht në U-Albania për 4 programe studimi: shkenca ushtarake, teknologji informacioni, marrëdhënie ndërkombëtare apo shkencat e komunikimit në fushën e mbrojtjes.

“Sivjet kemi 80 kuota, nga të cilat 10 janë për Kosovën. Në krahasim me universitetet e tjera, programet e studimit shtrihen në katër vite studimi, ku përfshihen edhe formimi ushtarak edhe formimi akademik. Çdo student që përfundon Akademinë e Forcave të Armatosura, punën e ka të garantuar. Studimet janë falas, akomodimi pa pagesë, madje kanë një pagesë mujore që është mbi minimalen në rang vendi”, thotë kolonelja Mirela Nebiaj.

Kapiten Egluent Rika – Pedagog për elektronikën, Akademia e Forcave të Armatosura thotë: “Ne ofrojmë programe studimi katërvjeçare, që janë model i marrë nga SHBA, nga Akademia West Point. Sapo kemi marrë edhe akreditimin, që është një diplomë që njihet brenda dhe jashtë vendit.”

Por ndryshe nga universitetet e tjera, në Akademinë e Forcave të Armatosura regjistrimi kryhet pas një filtrimi në disa teste, ku e rëndësishme është edhe të mos kesh precedentë penalë.

“E veçanta e akademisë është se pas aplikimit, bëhet testimi fizik, shëndetësor, bëhet edhe pastërtia e figurës. Kuptohet që të shërbesh në Forcat e Armatosura duhet të kesh një figurë të pastër. Pra, kalojnë në vetting studentët”, shton Nebiaj.

“Vitin e kaluar ka pasur rreth 1100 aplikime, do të thotë që ka interes të madh. Ne kemi edhe 3 programe master që janë për sigurinë kibernetike, master shkencor në inteligjencë artificiale dhe në siguri e politikë ndërkombëtare”, shprehet Kapiten Egluent Rika.

Krahas aplikimeve për në Akademi, Forcat e Armatosura kanë hapur edhe thirrje për rekrutime ushtarësh deri më 29 gusht.

 

Top Channel