Kroacia organizoi më 31 korrik paradën ushtarake në Zagreb për 30-vjetorin e operacionit “Stuhia”, ne parade u vendos edhe flamuri shqiptar, ndërsa Serbia paralajmëron një paradë të sajën më 20 shtator.

Ky është një tjetër episod në garën e gjatë të armatimit mes dy vendeve, e nxitur nga rivaliteti historik dhe tensionet politike.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç vazhdimisht e lidh fuqinë ushtarake të Serbisë me Kroacinë, duke e shpallur vendin e tij si “forca më e madhe në rajon”.

Por kritikët në Beograd e quajnë paradën e planifikuar më shumë një manovër politike për të dëshmuar forcë përballë protestave të brendshme, se sa një reagim ndaj Kroacisë.

Ndërkohë, në qendër të Beogradit, përkrahësit e Vuçiçit po organizojnë eventin “Ćacilend”, që ka detyruar zhvendosjen e ceremonisë ushtarake në periferi – një veprim që shihet si mungesë respekti ndaj ushtrisë serbe.

Ekspertët si Aleksandar Radiç theksojnë se Kroacia, si anëtare e NATO-s, ka avantazhe të qarta në modernizimin e ushtrisë, ndërsa Serbia mbetet e kufizuar, duke përdorur armë të përziera nga Rusia, Kina dhe Franca. Për disa analistë, këto parada nuk janë tjetër veçse instrumente propagande të brendshme që ushqejnë ndarjet historike dhe traumën e luftës.

“Trauma e Krajines dhe Operacionit Stuhia po përdoret ende për të mbajtur gjallë tensionet,” vlerëson gazetari Davor Lukaç. Në thelb, mbetet pyetja: a janë këto parada shfaqje force — apo maskarada politike?

Top Channel