
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shkarkuar me urgjencë drejtoreshën e Byrosë së Statistikave të Punës, vetëm pak orë pasi një raport zyrtar për punësimin nxiti panik në tregje dhe sfidoi narrativën e tij ekonomike.
Në një postim në rrjetet sociale, Trump, pa paraqitur prova, akuzoi komisioneren Erika McEntarfer për manipulim të të dhënave të punësimit për arsye politike. Vendimi i papritur ka tronditur Wall Street-in dhe ka ngritur shqetësime për ndërhyrje të drejtpërdrejtë të Shtëpisë së Bardhë në publikimin e statistikave zyrtare.
Në reagimin e saj, McEntarfer e quajti periudhën në krye të Byrosë së Statistikave të Punës (BLS) si “nderin më të madh të jetës” dhe falënderoi punonjësit civilë për “shërbimin ndaj këtij kombi”.
Ky zhvillim ndodhi në një moment kur tregjet globale shfaqën shenja lëkundjeje, pasi Trump vendosi të shtyjë përpara me rritjen e ndjeshme të tarifave ndaj mallrave nga vende të ndryshme të botës. Parashikues të shumtë ekonomikë paralajmërojnë se tarifat do të dëmtojnë ekonominë amerikane.
Në SHBA, treguesit kryesorë të bursës ranë ndjeshëm – indeksi S&P 500 u mbyll me një rënie prej 1.6%, pas shitjeve masive që nisën më herët në tregjet evropiane dhe aziatike.
Ekonomisti kryesor i Oxford Economics, Ryan Sweet, e cilësoi shkarkimin e McEntarfer si një zhvillim shqetësues, duke theksuar se të dhënat e sakta ekonomike janë thelbësore për bizneset. “Kjo është një lëvizje në drejtimin më të keq të mundshëm. Nëse fillon të vihet në dyshim besueshmëria e të dhënave, pasojat do të jenë të mëdha,” tha ai.
Trump i ka hedhur poshtë kritikat ndaj tarifave të tij, duke thënë se ato do të fuqizojnë prodhimin vendas dhe do të rivendosin ekuilibrin në tregtinë globale. Por të dhënat e fundit – përfshirë një raport të dobët për punësimin – po sfidojnë këtë narrativë.
BLS raportoi se në korrik janë shtuar vetëm 73,000 vende pune, ndërkohë që shifrat për majin dhe qershorin janë rishikuar ndjeshëm në ulje, me rreth 250,000 vende pune më pak sesa mendohej fillimisht.
Trump e përdori këtë rishikim si arsye për të njoftuar shkarkimin e McEntarfer. “Na duhen shifra të sakta për punësimin. Kam udhëzuar ekipin tim të shkarkojë këtë të emëruar politike të Biden, MENJËHERË,” shkroi ai.
Departamenti i Punës, i cili mbikëqyr BLS-në, konfirmoi se zëvendëskomisioneri William Wiatrowski do të marrë përkohësisht drejtimin, deri në gjetjen e një zëvendësuesi.
McEntarfer kishte mbi 20 vjet përvojë në shërbimin publik dhe u emërua në krye të BLS në vitin 2023, me një konfirmim pothuajse unanim nga Senati.
Trump e mbrojti vendimin për shkarkim, duke thënë se duhen njerëz “që mund t’u besojmë” në pozita të tilla. “Pse duhet t’i besojmë shifrave? Unë besoj se shifrat ishin të rreme, ashtu si para zgjedhjeve dhe në raste të tjera – kështu që e pushova. Dhe bëra gjënë e duhur,” tha ai për gazetarët.
Tregjet tronditen nga tarifat
Përplasja mbi të dhënat ndodhi teksa Trump po ndryshon rrënjësisht politikën tregtare, duke vendosur tarifa nga 10% deri në 50% për mallrat nga vende të ndryshme. Kur njoftoi masa të ngjashme në prill, bursat në SHBA ranë mbi 10% në një javë.
Megjithëse disa nga masat e tanishme janë më të buta sesa planet fillestare, ato e kanë çuar normën mesatare të tarifës nga më pak se 2.5% në fillim të vitit, në rreth 17%.
Tregjet reaguan negativisht: S&P 500 ra me 1.6%, Dow me 1.2% dhe Nasdaq me 2.2%. Në Evropë, CAC 40 i Francës ra 2.9%, DAX i Gjermanisë 2.6%, ndërsa FTSE i Britanisë 0.7%. Në Azi, treguesit kryesorë gjithashtu pësuan rënie.
Pas raportit të punësimit, Trump sulmoi sërish edhe kreun e Rezervës Federale, Jerome Powell, të cilin e akuzoi se po vepron shumë ngadalë në uljen e normave të interesit. Të premten, anëtarja e komitetit të politikës monetare, Adriana Kugler, njoftoi dorëheqjen – duke i hapur rrugë Trump-it të emërojë një tjetër anëtar.
Top Channel