
Tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë kanë hyrë në një fazë të re përplasjesh verbale, me Presidentin amerikan Donald Trump që ka urdhëruar vendosjen e dy nëndetëseve bërthamore në “rajonet përkatëse”, pas deklaratave provokuese të ish-presidentit rus, Dimitry Medvedev.
“Bazuar në deklaratat jashtëzakonisht provokuese të Medvedevit, që tani është nënkryetar i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, kam urdhëruar pozicionimin e dy nëndetëseve bërthamore, nëse këto fjalë të rrezikshme janë më shumë se thjesht retorikë,” shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.
Ai shtoi gjithashtu: “Fjalët janë të rëndësishme dhe shpesh çojnë në pasoja të padëshiruara. Shpresoj që ky të mos jetë një prej atyre rasteve.”
Përplasje e ashpër mes Trump dhe Medvedevit
Përplasja nisi pas një postimi të Medvedevit në X, ku ish-presidenti rus deklaronte se “çdo ultimatum amerikan për armëpushim në Ukrainë është një hap drejt luftës”.
Trump reagoi ashpër, duke e quajtur Medvedevin “ish-president i dështuar që mendon ende se është president”. Ai shtoi se Rusia dhe SHBA nuk kanë pothuajse asnjë marrëdhënie tregtare dhe “le të vazhdojë kështu”.
Trump kritikoi edhe Indinë, duke thënë se SHBA-të nuk kanë pasur kurrë shumë shkëmbime me të për shkak të tarifave të larta doganore. “India dhe Rusia mund të fundosin ekonomitë e tyre, nuk më intereson,” tha ai.
Kundërpërgjigja e Medvedevit: “Mano Morta” dhe zombie-t
Në një reagim të menjëhershëm në Telegram, Medvedev u tall me nervozizmin e Trump: “Nëse disa fjalë të ish-presidentit të Rusisë provokojnë një reagim kaq nervoz nga një president kaq i fuqishëm i SHBA-së, kjo do të thotë se Rusia ka të drejtë për gjithçka.”
Ai përmendi gjithashtu sistemin famëkeq “Mano Morta” – një sistem sovjetik i njohur gjithashtu si “Perimetr”, i krijuar gjatë Luftës së Ftohtë, që parashikonte nisjen automatike të raketave bërthamore në rast se Moska shkatërrohej nga një sulm i papritur.
Kjo referencë, që për analistët është një kërcënim indirekt bërthamor, nxiti reagimin e fortë të Trump, i cili e cilësoi deklaratën si “tejet provokuese” dhe urdhëroi lëvizjen e nëndetëseve amerikane si masë paralajmëruese.
Top Channel