
Në një telefonatë me Axios të premten, Donald Trump tha se po përgatiste një plan për të dërguar ndihmë humanitare në Rripin e Gazës.
“Ne duam t’i ndihmojmë njerëzit. Ne duam t’i ndihmojmë ata të jetojnë. Ne duam t’i ushqejmë njerëzit. Kjo duhej të ishte bërë shumë kohë më parë”, tha presidenti.
Edhe pse shprehu shqetësim në lidhje me raportet për urinë në enklavën palestineze, Trump fajësoi Hamasin, duke e akuzuar atë për vjedhjen dhe rishitjen e ndihmës që hyn në rajon.
Sot, i dërguari special i Shtëpisë së Bardhë, Steve Witkoff, dhe ambasadori i SHBA-së në Izrael, Mike Huckabee, vizituan qendrat e shpërndarjes së ndihmës në Gaza, të drejtuara nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF) i mbështetur nga SHBA-ja dhe Izraeli.
Sipas zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë, Caroline Levitt, Trump synon të miratojë planin e ri të ndihmës pasi të informohet zyrtarisht nga Witkoff.
Megjithatë, vetë presidenti amerikan i tha Axios se deri të premten në mëngjes ai ende nuk ishte informuar, megjithëse e përshkroi punën e të dërguarit të tij si “të jashtëzakonshme”.
Trump nuk dha detaje mbi përmbajtjen e planit në zhvillim e sipër.
Në të njëjtën kohë, ai përsëriti ditët e fundit se beson që Gaza po përballet me një problem serioz dhe u zotua të rrisë ndihmën amerikane.
Ai u bëri gjithashtu thirrje vendeve të tjera perëndimore, si dhe Izraelit, të marrin përsipër pjesën e tyre të përgjegjësisë.
Top Channel