
Dy persona janë proceduar penalisht nga Policia e Kavajës, pasi dyshohet se ndezën zjarre në mënyrë të pakontrolluar në fshatrat Gosë e Madhe dhe Luz i Madh, duke shkaktuar dëme në sipërfaqe toke.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e kaluar, kur shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë u njoftuan për rënie zjarri në këto dy zona rurale. Menjëherë pas marrjes së sinjalizimit, forcat policore u nisën drejt vendngjarjeve dhe ndërmorën veprime të shpejta hetimore.
Si rezultat i hetimeve paraprake, u identifikuan dy autorët e dyshuar, R. S., 66 vjeç, banues në fshatin Gosë e Madhe, dhe F. K., 70 vjeç, banues në Luz i Madh. Dyshohet se ata kishin ndezur zjarre për djegien e mbeturinave, por përhapja e flakëve ka sjellë djegien e dy sipërfaqeve toke në pronësi të tyre.
Të dy shtetasit janë proceduar në gjendje të lirë, ndërsa materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës apelon ndaj qytetarëve që të mos ndezin zjarre në asnjë rrethanë, duke kujtuar se ky veprim përbën vënie në rrezik të mjedisit dhe pasurisë dhe ndëshkohet me ligj.
Top Channel