
Rreth 350 procesverbale i janë dorëzuar qytetarëve në dy anët e rrugës nga Hani i Hotit në Shkodër dhe nga Shkodra deri në Mabe, në aksin drejt Lezhës, për të liruar hapësirat publike të zëna përgjatë këtyre dy akseve të rëndësishme kombëtare.
Ato janë biznese, shtëpi, rrethime banesash, tabela reklamash e çdo material tjetër që cënon sigurinë rrugore.
Procesverbalet janë shpërndare për të gjitha objektet që ndodhen brenda një distance prej 6 metrash nga aksi rrugor, distancë kjo që parashikohet nga kriteret e sigurisë për rrugët e kategorisë C – në këtë rast, për dy segmentet nga Hani i Hotit deri në Lezhë.
Pavarësisht paralajmërimeve, një pjesë e konsiderueshme e bizneseve kanë zgjedhur të injorojnë urdhrat e IKMT-së dhe nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për lirimin e hapësirës.
Ndërsa më të ndërgjegjësuar, janë banorët vendas ata që kanë nisur vetë prishjen e strukturave ndihmëse, kryesisht mureve rrethuese, për të shmangur përballjen me ndërhyrje të detyruar.
Situata më problematike paraqitet në segmentin që shtrihet nga Shkodra deri në Koplik. Kjo zonë ka një përqendrim me te larte banoresh dhe ka prani te konsiderueshme biznesesh, të cilat janë ndërtuar në të dy anët e rrugës përgjatë viteve.
Top Channel