
Kleanth Bylyku alias Armando Gega, është arrestuar sot si një nga vrasësit e Renato Hoxhajt në Vlorë pak muaj më parë.
I arrestuari, është pjesëtar i një grupi kriminal që vepron në fushën e krimeve të rënda dhe i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje.
“Si rezultat i operacionit policor të koduar “Në gjurmë”, të zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Vlorë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i një prej autorëve të dyshuar të ngjarjes së ndodhur më datë 27.04.2025, në lagjen “Hajro Çakërri”, ku mbeti i vrarë me armë zjarri shtetasi R. H., 58 vjeç.
Në vijim të hetimeve, bazuar mbi provat e siguruara nga Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, me vendimin e datës 30.07.2025, ka caktuar masën e sigurisë “arrest në burg”, për shtetasin K. B., alias A. G., 42 vjeç, banues në Vlorë, i dyshuar si bashkëautor në kryerjen e veprës penale “Vrasje me paramendim”, kryer në bashkëpunim”-njofton policia.
Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e datës 27.04.2025, rreth orës 06:20, pranë Poliklinikës së qytetit të Vlorës, ku mbeti i vrarë me armë zjarri Renato Hoxhaj 58 vjeç.
Policia thotë se vijojnë veprimet për kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë të dyshuar.
Top Channel