
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, ka nderuar sot figurën e Dom Ndre Mjedës, në përvjetorin e ndarjes së tij nga jeta, më 1 gusht 1937.
Vepra e Ndre Mjedës është një gur themeli në ndërtimin e identitetit kombëtar, thotë kryeparlamentarja, ndërsa shton se trashëgimia e tij mbetet e gjallë edhe përmes vargjeve të Tij plot muzikalitet, elegancë e atdhedashuri.
Ajo e mbyll reagimin në rrjetet sociale, me disa rreshta të tij.
“Sot nderojmë kujtimin e Dom Ndre Mjedës, larguar nga kjo jetë më 1 gusht 1937, një prej figurave të ndritura të Rilindjes Kombëtare, që i dha kulturës dhe gjuhës shqipe forcë, bukuri, pasuri e dinjitet.
Vepra e Ndre Mjedës është një gur themeli në ndërtimin e identitetit tonë kombëtar, një zë zgjues i ndërgjegjes së shtypur të shqiptarëve, një mbrojtës si rrallëkush i kulturës dhe i gjuhës sonë.
Si mësues, poet, përkthyes, klerik dhe atdhetar, me mendje të ndritur e zemër të naltësuar prej idealeve të shqipes, dijes e lirisë, Ndre Mjeda i shërbeu me dashuri kombit dhe kulturës shqiptare.
Ndre Mjeda ishte anëtar i Komisionit për hartimin e alfabetit të njësuar të shqipes, në Kongresin e Manastirit, në vitin 1908.
Trashëgimia e Ndre Mjedës mbetet e gjallë edhe përmes vargjeve të Tij plot muzikalitet, elegancë e atdhedashuri:
Nji kto gjuhë që jam tue ndie,
jan’ të bukra me themel,
por prap’ kjo, si diell pa hije,
për mue t’tanave iu del”, shkruan Spiropali në një postim në rrjetin social Facebook.
Top Channel