
Presidenti amerikan Donald Trump ka rritur tonet kundër Rusisë, duke dënuar ashpër sulmet e ripërtërira të Moskës ndaj Ukrainës dhe duke paralajmëruar sanksione të reja.
Gjatë një deklarate për mediat në Uashington, Trump u shpreh me tone të ashpra: “Rusia? E gjej të neveritshme atë që po bëjnë,” – tha ai, duke iu referuar ofensivës së përshkallëzuar në Ukrainë.
Trump shtoi se administrata e tij do të vendosë sanksione të reja, ndonëse shtoi me skepticizëm: “Nuk e di nëse ata shqetësohen nga sanksionet”, tha ai, duke aluduar për qëndrueshmërinë dhe sfidën e vazhdueshme të Vladimir Putinit në përballjen me presionin ndërkombëtar.
Megjithëse Shtëpia e Bardhë ka reaguar më herët me masa ekonomike ndaj Moskës, retorika e ashpër e Trump sinjalizon një qëndrim edhe më të fortë ndaj Kremlinit. Analistët vërejnë se deri më tani, Moska ka treguar pak ndjeshmëri ndaj presioneve ekonomike, duke vijuar agresionin në Ukrainë pa ndonjë ndryshim strategjik.
Ndërkohë, situata në terren mbetet kritike, me intensifikim të bombardimeve dhe viktima të reja mes civilëve. Fjalët e Trump vijnë në një kohë kur bashkësia ndërkombëtare po përpiqet të rigjallërojë përpjekjet për një zgjidhje diplomatike – ndërsa lufta ka hyrë në vitin e saj të tretë.
Top Channel