
Prokuroria e Fierit po vijon hetimin e një çështjeje shumë të ndjeshme që ka të bëjë me pasurinë nëntokësore të Shqipërisë.
Fushat e mëdha të naftës në Patos-Marinzë, pas një periudhe të gjatë shfrytëzimi nga ana e shtetit, prej vitit 2004 janë dhënë me koncesion.
Kompania koncesionare është kaluar disa herë në aksionerë të ndryshëm. Në raportin prej qindra faqesh që prokuroria ka paraqitur në gjykatë pas arrestimit të disa personave të lidhur me koncesionarin Bankers, shkruhet se:
“Nga analizimi i të dhënave të vetëdeklaruara nga Shoqëria “Bankers Petroleum Albania Ltd” në organin tatimor, referuar këqyrjes dhe nxjerrjes së këtyre të dhënave nga sistemi C@ATS, rezulton se që nga viti 2004 dhe deri në fund të vitit 2024 ka dalë me humbje, çka ka sjellë si rezultat që shteti shqiptar të mos përfitojë asnjë të ardhur prej 20 vitesh nga ky aktivitet, pavarësisht se janë nxjerrë e tregtuar sasi të konsiderueshme karburanti në zonat e njohura me rezerva nafte Patos-Marinzë-Fier”.
Prokuroria ka zbardhur shifrat e shitjeve dhe shpenzimeve të deklaruara nga Bankers. Sipas tabelave të llogarive, Bankers ka shitur 532 miliardë lekë naftë bruto ose 5.32 miliardë euro dhe ka deklaruar 684 miliardë lekë shpenzime ose 6.84 miliardë euro.
“Në këtë mënyrë, për të gjithë këtë periudhë 20-vjeçare nuk është paguar asnjë tatim mbi fitimin dhe si rrjedhojë, buxheti i shtetit nuk ka përfituar asnjë të ardhur nga aktiviteti i nxjerrjes së naftës nga kjo shoqëri. Përkundrazi, është lejuar të kompensojë humbjet e pësuara në një vit me fitimin e realizuar në vitet e mëvonshme, çka sipas legjislacionit në fuqi nuk përbën shkelje, por mënyra se si janë krijuar këto humbje nuk është hetuar nga organet tatimore”.
Në këto kushte, pyet Prokuroria, natyrshëm lind dyshimi lidhur me faktin se nëse kompania nuk ka realizuar asnjë fitim që nga krijimi i saj e deri më sot, atëherë pse kjo kompani vazhdon aktivitetin e saj për 20 vite me radhë, kur dihet që qëllimi i vetëm i kompanisë është fitimi?
“Shoqëria Bankers Petroleum Albania gjatë gjithë kësaj periudhe dyshohet se ka rritur në mënyrë fiktive shpenzimet e saj me qëllim që në bilancin vjetor të rezultojë me humbje, e më pas nuk ka paguar asnjë tatim-fitimi, por ka përfituar nga rimbursimi i TVSH-së nëpërmjet skemave të dyshuara mashtruese, e ndihmuar edhe nga individë e shoqëri të tjera kontraktuese të saj, me objekte dhe veprimtari të ndryshme”.
Në këtë pikë, Prokuroria del me akuzën e rëndë se për arritjen e këtij qëllimi nga shoqëria dhe punonjësit e saj, dyshohet se falsifikohen dokumentacione të ndryshme dhe kryhen operacione financiare të natyrave të ndryshme me operatorë dhe individë të ndryshëm si brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Konstatime të cilat janë evidentuar edhe gjatë procesit të arbitrazhit që ka pasur në konsideratë periudhën midis viteve 2012 deri më 2017 dhe vitet që e kanë pasuar. Kjo mënyrë të vepruari ka vijuar përgjatë gjithë kohës, duke përfshirë edhe dy vitet e fundit.
Dosja voluminoze me shumë emra, në formën e një grupi të organizuar, ka bërë që Prokuroria e Fierit të nisë diskutimin nëse duhet t’ia kalojë çështjen për hetim SPAK-ut.
Top Channel