
Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, u rikthye në qendër të vëmendjes me një fjalim të mbajtur në Çikago gjatë galasë së 100-vjetorit të National Bar Association, rrjeti më i madh dhe më i vjetër i juristëve afrikano-amerikanë në SHBA.
Në një periudhë të mbushur me spekulime për gjendjen e tij fizike dhe mendore, Biden shfrytëzoi fjalimin për të theksuar rëndësinë e trashëgimisë së të drejtave civile dhe për të dhënë një mesazh të fortë kundër tendencave që, sipas tij, po rrezikojnë drejtësinë dhe historinë amerikane.
“Ka shumë prej jush që keni luftuar për ta bërë këtë vend të qëndrojë në lartësinë e idealeve të veta më të mëdha,” u shpreh Biden. “Që nga vitet e trazuara të ’60-ës, nuk kemi qenë më afër një sfide ekzistenciale për atë që përfaqësojmë si komb.”
Duke iu referuar sulmeve ndaj komuniteteve të margjinalizuara, Biden kritikoi ashpër klimën aktuale politike, përfshirë edhe mënyrën se si trajtohen emigrantët që jetojnë ligjërisht në SHBA. “Shohim politikanë që duket se ndihen të kënaqur teksa shohin emigrantë të ndarë nga familjet e tyre, të prangosur në vendin që e njohin si shtëpi të vetme,” tha ai.
Fjalimi i Biden u fokusua gjithashtu te roli i pazëvendësueshëm i juristëve me ngjyrë në historinë e drejtësisë amerikane, ndërsa kritikoi ashpër administratën aktuale të Donald Trump për përpjekje për të “fshirë historinë, cilësinë dhe vetë drejtësinë”.
Ai shprehu shqetësimin për presionin mbi gjyqtarët federalë dhe firmat ligjore që po sfidojnë politikat e administratës Trump, duke thënë: “Shohim firma që përkulen përballë presionit dhe heshtin përballë padrejtësisë, në vend që të qëndrojnë të rrënjosura në parimet e ligjit.”
Fjalimi i Biden në Çikago ishte i treti për këtë verë, ku ai ka kritikuar në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë presidentin aktual Donald Trump. Më herët, ai kishte folur gjatë një shërbese për Ditën e Çlirimit (Juneteenth) në Teksas dhe në një konferencë në San Diego, ku kishte pranuar se po punon me ngulm për të përfunduar kujtimet e presidencës së tij, ndërsa përballet me diagnozën e kancerit të prostatës.
Pavarësisht se nuk foli qartazi për tërheqjen e tij nga gara presidenciale, Biden la të kuptohet se po përpiqet ta formësojë trashëgiminë e tij përmes librit që po shkruan – dhe për t’u përballur me pyetjet që e ndoqën në fund të mandatit të tij, për gjendjen mendore dhe fizike.
Ndërkohë, në Uashington, ish-këshilltarët më të afërt të Biden janë nën hetim nga Kongresi, lidhur me akuzat se stafi i tij kishte fshehur shenja të dobësimit të tij për publikun amerikan. Mike Donilon dhe Steve Ricchetti dhanë dëshmi këtë javë para Komisionit të Mbikëqyrjes në Dhomën e Përfaqësuesve, ndërsa Shtëpia e Bardhë dhe republikanët po vazhdojnë hetimet për përdorimin e autoritetit presidencial në vendime për falje dhe lehtësime të dënimeve në fund të mandatit të Biden.
Edhe pse nuk i adresoi drejtpërdrejt këto akuza, Biden nuk ngurroi të kujtonte dy nga faktet që kanë shënuar karrierën e tij: ai ishte personi më i ri i zgjedhur ndonjëherë në Senatin amerikan dhe më i moshuari që është bërë president i SHBA-së. Një detaj që, sipas shumë analistëve, e bën akoma më të ndërlikuar narrativën për fundin e mandatit të tij.
Top Channel