
Lufta në Lindjen e Mesme ka hyrë në ditën e saj të 665-të, ndërsa përpjekjet për një marrëveshje armëpushimi mbeten të ngrira.
Negociatorët e Hamasit në Doha i kanë bërë të qartë ndërmjetësve ndërkombëtarë se nuk janë të gatshëm të rifillojnë bisedimet, për sa kohë kriza humanitare dhe uria në Gaza nuk është adresuar.
Lajmi është bërë i ditur nga një diplomat arab dhe një burim i dytë i përfshirë në ndërmjetësim, të cituar nga Times of Israel.
Nga Rripi i Gazës, situata mbetet e rënduar. Burime spitalore, të cituara nga Al Jazeera Arabic, bëjnë me dije se të paktën 10 palestinezë janë vrarë në sulmet ajrore të ushtrisë izraelite që nga agimi i sotëm.
Më herët, dy persona u vranë dhe mbi 70 të tjerë u plagosën pranë Korridorit Morag, një pikë shpërndarjeje ndihmash humanitare në jug të Khan Younis, ku kishte grumbullime të mëdha njerëzish që kërkonin ushqime dhe ndihmë.
Në Jerusalem, Steve Witkoff, i dërguari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë, u takua me kryeministrin Benjamin Netanyahu.
Sipas raportimeve, po formësohet një mirëkuptim i ri mes SHBA-së dhe Izraelit, që parashikon fundin e marrëveshjeve të pjesshme për lirimin e pengjeve, duke u zhvendosur drejt çarmatimit total të Hamasit dhe demilitarizimit të Rripit të Gazës.
Burime të afërta me bisedimet theksojnë se tashmë kërkohet një zgjidhje përfundimtare, që përfshin lirimin e të gjithë pengjeve, si dhe eliminimin e strukturave ushtarake të Hamasit.
Nga ana tjetër, Zëvendëskryeministri italian Antonio Tajani, gjatë një takimi me kryeministrin e Autoritetit Kombëtar Palestinez, Mohammad Mustafa, njoftoi një operacion evakuimi për 50 palestinezë, kryesisht fëmijë të sëmurë dhe shoqëruesit e tyre, që do të dërgohen për trajtim jashtë Gazës.
Tajani gjithashtu bëri të ditur ndarjen e 5 milionë eurove ndihmë për blerjen e ushqimeve dhe furnizimeve për popullatën civile.
Ndërkohë që fronti i betejës mbetet aktiv dhe ndërkombëtarisht i ndjeshëm, përpjekjet diplomatike për një zgjidhje afatgjatë vazhdojnë, por pa progres konkret në terren.
Top Channel