
SHBA-të duhet të bien dakord të kompensojnë Iranin për dëmin që pësoi nga sulmet amerikane dhe izraelite kundër tij në qershor, tha ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, sipas Financial Times
“Ata duhet të shpjegojnë pse na sulmuan në mes të negociatave dhe duhet të sigurohen që të mos e përsërisin këtë gjatë negociatave të ardhshme”, tha Araghchi në një intervistë me Financial Times.
“Dhe ata duhet të kompensojnë Iranin për dëmin që shkaktuan”, theksoi ministri iranian, ndërsa Teherani duket se po mban një qëndrim më të ashpër dhe po vendos kushte të reja për rifillimin e negociatave mbi programin e tij bërthamor me administratën e presidentit të SHBA-së, Donald Trump.
Sipas artikullit të gazetës, Araghchi dhe i dërguari special i SHBA-së Steve Witkoff shkëmbyen mesazhe gjatë dhe pas luftës Iran-Izrael, teksa ministri iranian theksoi nevojën për të gjetur “një zgjidhje të dobishme reciprokisht” për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes së gjatë mbi programin bërthamor të Teheranit.
Araghchi tha se Irani pret që SHBA-të të ndërmarrin hapa thelbësorë për të rindërtuar besimin, pasi Witkoff sugjeroi rifillimin e bisedimeve dypalëshe.
Ndër këto hapa, tha ministri iranian, janë kompensimi financiar për Teheranin, një çështje për të cilën ai nuk dha hollësi dhe garancitë se Irani nuk do të jetë përsëri në shënjestër gjatë negociatave.
Top Channel