Plagosi me armë zjarri 33-vjeçarin pas debatit, arrestohet autori! Shpallet në kërkim një person tjetër

31/07/2025 18:17

Tashmë është vënë në pranga autori i plagosjes me armë zjarri në Borsh.

Autori i dyshuar është arrestuar, teksa në kërkim u shpall edhe një tjetër person i përfshirë në konflikt.

“Më datë 31.07.2025, rreth orës 02:20, në një lokal në fshatin Borsh, Himarë, shtetasi H. Ç., 42 vjeç, banues në Borsh, dyshohet se është përfshirë në një konflikt fizik, për motive të dobëta, gjatë të cilit është goditur me grushte nga shtetasi E. V., 55 vjeç, banues në Tiranë. Pas këtij momenti, shtetasi H. Ç. është larguar nga ambientet e lokalit dhe është rikthyer me një armë zjarri automatik, me të cilën ka qëlluar në drejtim të automjetit tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin E. Sh., 33 vjeç, duke e plagosur në shpatull dhe në këmbë. Ky shtetas ndodhet aktualisht në spital, jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu, dyshohet se shtetasi H. Ç. ka goditur me qytën e armës edhe shtetasin A. D., 43 vjeç.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe procedurale nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Vlorë, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit H. Ç., për veprat penale “Vrasje me dashje”, mbetur në tentativë, dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”. Gjithashtu, është shpallur në kërkim dhe shtetasi E. V., për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje””, njofton policia.

Në vendngjarje janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale 4 gëzhoja dhe një krehër me fishekë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel