Flota detare e familjes Shamkhani në shënjestër, SHBA sanksione të reja ndaj Iranit

31/07/2025 09:54

Qeveria amerikane njoftoi të mërkurën një raund të ri sanksionesh kundër Iranit, duke synuar më shumë se 50 individë dhe subjekte, si edhe mbi 50 anije që, sipas SHBA-së, i përkasin flotës tregtare të djalit të një zyrtari të Republikës Islamike.

Departamenti i Thesarit të SHBA-së deklaroi në një njoftim për shtyp se këto janë sanksionet “më të mëdha” kundër Iranit “që nga viti 2018”. Objektivat e tyre janë, në veçanti, një flotë anijesh cisternash dhe anijesh kontejnerësh, të cilat, sipas Uashingtonit, kontrollohen nga Mohammad Hossein Shamkhani, djali i Ali Shamkhani, këshilltar i udhëheqësit suprem të Iranit, Ali Khamenei.

“Perandoria detare e familjes Shamkhani tregon se si elitat e regjimit iranian po përdorin pozitat e tyre për të grumbulluar pasuri të mëdha dhe për të financuar sjelljen e rrezikshme të regjimit”, tha Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Scott Bessant, sipas njoftimit për shtyp.

“Më shumë se 115 sanksionet që po vendosen sot janë më të mëdhatë deri më sot, që kur administrata Trump nisi fushatën e presionit maksimal ndaj Iranit në shkurt,” shtoi ai.

Mohammad Hossein Shamkhani operon si në Iran, ashtu edhe në Emiratet e Bashkuara Arabe, sipas një zyrtari të lartë të Thesarit të SHBA-së, i cili foli në një intervistë telefonike me gazetarët.

Shumë nga individët dhe subjektet e sanksionuara ndodhen në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Rrjeti në fjalë “kontrollon një pjesë të madhe të eksporteve të naftës së Iranit” dhe siguron miliarda dollarë të ardhura çdo vit, kryesisht nga shitjet për blerësit kinezë, sipas Departamentit të Thesarit të SHBA-së, i cili thekson se rrjeti transporton gjithashtu naftë ruse, përveç asaj iraniane.

Një zyrtar i Thesarit minimizoi rrezikun e “ndërprerjes së tregjeve globale të naftës” si pasojë e këtyre sanksioneve, duke theksuar se ato janë “të synuara”.

Departamenti i Shtetit i SHBA-së njoftoi gjithashtu sanksione ndaj 20 subjekteve dhe 10 anijeve, që janë të përfshirë në transportin e naftës dhe produkteve petrokimike iraniane.

Ky institucion i cilësoi sanksionet si një “veprim vendimtar për të minuar aftësinë e regjimit iranian për të financuar aktivitetet e tij destabilizuese, përfshirë programin bërthamor, mbështetjen për lëvizjet terroriste dhe shtypjen ndaj popullit të vet”.

Në vitin 2020, gjatë mandatit të parë të Presidentit Trump, Ali Shamkhani – atëherë sekretar i përgjithshëm i Këshillit Suprem të Sigurisë Kombëtare të Iranit – u vu personalisht në shënjestër të sanksioneve amerikane, sipas Departamentit të Thesarit.

Ali Shamkhani, i cili u plagos gjatë luftës 12-ditore midis Izraelit dhe Iranit në qershor, u shfaq me një shkop në funeralet e financuara nga shteti për rreth 60 oficerë të lartë ushtarakë dhe shkencëtarë bërthamorë iranianë, të vrarë në sulmet izraelite.

Sanksionet e reja u shpallën rreth një muaj pas sulmeve ajrore të përbashkëta izraelite dhe amerikane.

Në mbështetje të sulmeve izraelite, forcat amerikane bombarduan më 22 qershor uzinën nëntokësore të pasurimit të uraniumit në Fordow, në jug të Teheranit, si dhe dy objekte të tjera kyçe bërthamore në Isfahan dhe Natanz.

Top Channel