Çështja “Bankers Petroleum”/ Dumani: Është në dorën e Prokurorisë së Fierit që të vlerësojë nëse duhet të shpallë moskompetencën e ta sjellë në SPAK

31/07/2025 15:25

Kryeprokurori Altin Dumani, në takimin informal me gazetarët këtë të enjte, u pyet edhe për çështjen e “Bankers Petroleum”.

Hetimet aktualisht janë në dorën e Prokurorisë së Fierit dhe Dumani tha se është në dorën e kësaj të fundit të vendosë nëse do të shpallë moskompetencën, për t’ia kaluar çështjen SPAK-ut.

Është në të drejtën e prokurorisë së Fierit që të vlerësojë nëse duhet të shpallë moskompetencën e ta sjellë. E njoh përciptazi si ju. Ne nuk mund të marrim iniciativën, ne mund ta tërheqim atë dosje nëse për të njëjtin fakt penal ne të kishim regjistruar diçka. Në këtë kuptim, mbetet në kompetencën e Fierit nëse na i sjell apo jo neve”, tha Dumani.

Në fillim të këtij muaji, u cakuan, 14 masa sigurimi për ‘Bankers Petroleum Albania Ltd’ nën akuzë për veprat penale “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, “Fshehja e të ardhurave”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskryerja e detyrave nga organet tatimore”.

Prokuroria e Fierit njoftoi se pas një hetimi 6-mujor, u grumbulluan prova që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se janë konsumuar këto vepra penale, ndërsa u ekzekutuan 9 masa sigurimi ndaj Administratorit aktual të shoqërisë H.X, ish- administratorit të kompanisë të shoqërisë “Bankers Petroleum Albania Ltd”, L.Ç, si dhe ndaj disa shtetasve të tjerë L.Ë, A.K, K.Xh, D.G, M.Th, M.I dhe E.A, me pozicione drejtuese në këtë kompani. Pesë të tjerë u shpallën në kërkim.

Top Channel