
Ka rënë në pranga drejtuesi i “Benz”-it që u përplas me furgonin dje në Borsh, ku humbën jetën çifti i bashkëshortëve, Kastriot dhe Donika Mehmeti.
Myfit Qejvanaj, është arrestuar për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit.
Policia thotë se nga veprimet hetimore ka rezultuar se 29-vjeçari, duke drejtuar automjetin tip “Benz”, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe është përplasur me një mjet të llojit furgon, që drejtohej nga shtetasi Kastriot Mehmeti 66 vjeç, i cili së bashku me pasagjeren Donika Mehmeti 70 vjeçe, ka humbur jetën në vendngjarje.
Përplasja ka qenë e fortë, ndërsa pas aksidentit, automjeti është spostuar në drejtim të trotuarit, duke rrezikuar edhe kalimtarët. Bashkëshortët, edhe pse kanë qenë me rrip sigurimi, nuk kanë mundur të jetojnë për shkak të goditjes së fortë. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, dyshohet se shkaku i aksidentit ka qenë shpejtësia tepër e madhe e Benz-it, i cili i ka goditur drejt për drejt.
Të plagosurit janë transportuar me urgjencë drejt spitalit të Sarandës, ndërkohë që drejtuesi i mjetit Mercedes, Myfit Qejvanaj, është në gjendje të rëndë me frakturë në kokë dhe hemorragji dhe është transportuar me helikopter drejt Traumës në Tiranë, ndërsa pasagjeri Petrit Kapllanaj ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Top Channel