
Zyra e shtypit pranë Prokurorisë së Përgjithshme ka reaguar me një deklarata zyrtare lidhur me debatin nëse ka pasur apo jo përfaqësues të këtij institucioni në grupin e punës për draftin e Kodit Penal.
Sipas kësaj prokurorie, Ministria e Drejtësisë ka kërkuar një përfaqësues në janar 2023 dhe sipas shkresës së siguruar nga Top Channel, rezulton se është zgjedhur Kujtim Luli. Ky i fundit, thotë Prokuroria e Përgjithshme ka marrë pjesë në një fazë diskutimesh mbi pjesën e përgjithshme të draftit të hartuar më parë nga grupi i ekspertëve. Por, përfaqësuesi ka qenë në detyrë si prokuror deri në muajin tetor të vitit 2023 dhe më pas nuk ka pasur asnjë përfaqësues apo komunikim të Prokurorisë së Përgjithshme me grupin e punës, thuhet në deklaratën e zyrës së shtypit.
“Në vijim të interesimit tuaj në lidhje me pjesëmarrjen në grupin e punës për draftin e Kodit Penal, ashtu si dhe i është konfirmuar një medie të interesuar ditët e kaluara dhe që është bërë publike, sqarojmë sërish, në mënyrë më të detajuar, se Prokurorisë së Përgjithshme i është kërkuar zyrtarisht nga Ministria e Drejtësisë në janar 2023 një përfaqësues, i cili ka marrë pjesë në një fazë diskutimesh mbi pjesën e përgjithshme të draftit të hartuar më parë nga grupi i ekspertëve. Më pas, në muajin maj të vitit 2023, Sekretariati Teknik i MD ka nisur për konsultim pjesën e përgjithshme të draftit, por ky proces nuk pati vijim konkret me dhënie mendimesh në formë zyrtare nga ana jonë për kohën e shkurtër të lënë në dispozicion si dhe pasi u analizua, për arsyet që edhe u bënë publike këto ditë. Përfaqësuesi që ka marrë pjesë në fazën e konsultimeve me grupin e punës që nga muaji shkurt 2023, ka qenë në detyrë si prokuror deri në muajin tetor të vitit 2023. Që nga kjo periudhë nuk ka pasur asnjë përfaqësues apo komunikim të Prokurorisë së Përgjithshme me grupin e punës si dhe asnjë kontribut apo dakordësi zyrtare për versionin përfundimtar të draftit”.
Top Channel