VIDEO/ Tërmeti me magnitudë 8.8 godet Rusinë, Cunami mbërrin në brigjet e Petropavlovsk-Kamchatsk

30/07/2025 07:29

Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 8.8 i shkallës Rihter goditi Gadishullin Kamchatka në lindje të Rusisë, të mërkurën në mëngjes, në orën 01:35 sipas kohës tonë.

Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS), epiqendra e tërmetit ndodhej 131 kilometra në juglindje të qytetit Petropavlovsk-Kamchatsky. Fillimisht, USGS e kishte vlerësuar tërmetin me magnitudë 8.0, por më vonë e përditësoi në 8.8. Ndërkohë, Qendra Sizmologjike Euro-Mesdhetare (EMSC) raportoi një magnitudë prej 7.6 ballë sipas shkallës Rihter.

Tërmeti ishte i cekët, me thellësi 19.3 kilometra, dhe u ndje në të gjithë Gadishullin Kamchatka. Ekipet e emergjencës ndodhen në gatishmëri ndërsa situata evoluon.

Ministria Ruse e Emergjencave njoftoi se një cunami me lartësi 3 deri në 4 metra është regjistruar tashmë në disa pjesë të rajonit. Pamjet filmike tregojnë valët që arrijnë në qytetin Petropavlovsk-Kamchatsky, pas goditjes së tërmetit.

Vendndodhja e tërmetit pranë Gadishullit Kamchatka, një zonë sizmikisht aktive, ka ngjallur shqetësim për pasoja të mundshme. Ky rajon është i njohur për tërmete të mëdha, përfshirë edhe atë të vitit 1952 me magnitudë mbi 8.0, në përputhje me të dhënat e USGS për kufijtë tektonikë të pllakave.

Paralajmërimet për cunami janë shtrirë gjithashtu në Japoni, Alaskë dhe ndoshta në Guam, për shkak të vendndodhjes së rajonit në të ashtuquajturën “Unaza e Zjarrtë e Paqësorit”, ku në vitin 2011 një tërmet me magnitudë 9.0 në Japoni shkaktoi valë cunami deri në 40 metra, sipas studimeve të botuara në Nature Geoscience.

Raportohet për disa të lënduar në Kamchatka, përfshirë një burrë që u hodh nga dritarja në panik dhe një grua në një aeroport rajonal, por sipas Ministrit të Shëndetësisë të rajonit, Oleg Melnikov, askush nuk ndodhet në gjendje të rëndë.

Guvernatori rajonal i Kamchatkës, Vladimir Solodov, deklaroi se ky është tërmeti më i fuqishëm i regjistruar në dekada në këtë rajon. Sipas tij, nuk ka raportime për viktima, por një kopsht fëmijësh është dëmtuar.

Ndërkohë, guvernatori i Sakhalinit, Valery Limarenko, njoftoi se një qytet i vogël në Severo-Kurilsk është urdhëruar të evakuohet për shkak të kërcënimit nga cunami.

Vetëm dhjetë ditë më parë, më 20 korrik, një tërmet me magnitudë 7.4, i ndjekur nga disa lëkundje pasuese, ishte regjistruar në të njëjtin rajon, pa shkaktuar dëme të mëdha.

Gadishulli Kamchatka, i cili ndan Detin e Ohotskut nga Oqeani Paqësor, ndodhet në kryqëzimin e pllakave tektonike të Paqësorit dhe Amerikës së Veriut. Kjo e bën atë një nga rajonet më sizmikisht aktive në planet, dhe sipas USGS, një nga zonat më të prirura për tërmete në botë.

Top Channel