
Ish-avokati personal i Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, u konfirmua nga Senati si gjyqtar federal i apelit me një votim partiak 50-49 vota.
Senati i udhëhequr nga republikanët konfirmoi Emil Bove si gjyqtar në Gjykatën e 3-të të Apelit të Qarkut të SHBA-së, një emërim për jetë, pavarësisht kundërshtimit të ashpër nga demokratët, të cilët dolën nga një mbledhje e komitetit të Senatit në shenjë proteste më parë këtë muaj.
Dy senatore republikane, Lisa Murkowski e Alaskës dhe Susan Collins e Maine votuan kundër emërimit, por republikanët mbajnë një shumicë prej 53-47 në dhomë dhe arritën ta merrnin votën gjithsesi. 44-vjeçari Emil Bove, një ish-prokuror federal, u nominua nga Trump ndërsa shërbente si zyrtari i tretë më i lartë në Departamentin e Drejtësisë.
Emërimi i tij shkaktoi kritika të ashpra dhe senatori Dick Durbin, demokrati me gradë më të lartë në Komitetin Gjyqësor të Senatit, lëshoi një deklaratë të martën në mbrëmje duke e kritikuar ashpër Bove-in pasi ai mori punën e re.
“Kualifikimi kryesor i z. Bove duket të jetë besnikëria e tij e verbër ndaj këtij Presidenti”, tha Durbin, duke shtuar se Bove mbajti anën e protestuesve të 6 janarit 2021 që sulmuan Kapitolin dhe shkarkoi prokurorët e karrierës që i mbajtën ata përgjegjës.
Bove përfaqësoi Trumpin në çështjen e Nju Jorkut, e cila përfundoi me dënimin e tij për 34 akuza për falsifikim të të dhënave të biznesit për të mbuluar pagesat e parave për të heshtur një ylli porno.
Ai gjithashtu mbrojti Trumpin në dy çështje penale federale të cilat nuk arritën kurrë në gjyq dhe u mbyllën pasi Trump fitoi zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.
Më herët këtë vit, Bove urdhëroi prokurorët federalë të heqin akuzat për ryshfet dhe mashtrim kundër kryetarit të bashkisë së Nju Jorkut, Eric Adams, duke shkaktuar një valë dorëheqjesh në zyrën e prokurorit të Manhattanit dhe në Departamentin e Drejtësisë në Uashington.
Top Channel