Tërmeti me magnitudë 8.8 në Paqësor, valët e cunamit mbërrijnë në Kaliforni, vendasit dhe turistët në Hawaii braktisin masivisht zonat bregdetare

30/07/2025 10:46

Valët e para të cunamit u regjistruan në Kaliforni, SHBA, dhe më konkretisht në Crescent City, në veri të shtetit, pranë kufirit me Oregonin.

Sipas të dhënave nga Administrata Kombëtare Oqeanike dhe Atmosferike e SHBA-së (NOAA), u regjistrua një valë prej rreth 30 centimetrash, ndërsa së shpejti priten valë të tjera.

Qyteti ndodhet përgjatë një shtrirjeje prej 160 km të bregdetit të Kalifornisë Veriore që është nën një paralajmërim për cunami, niveli më i lartë i alarmit. Kjo zonë ka rrezik të shtuar për shkak të gjeomorfologjisë së saj të veçantë nënujore, e cila, sipas Shërbimit Kombëtar të Motit, ka aftësinë të “kanalizojë energjinë e valëve”.

Vendasit dhe turistët në Hawaii po braktisin masivisht zonat bregdetare

Bllokime të dendura trafiku në rrugët e Mauit, ndërsa banorët përpiqen të arrijnë në vende të sigurta.

Në Honolulu, zonat bregdetare janë të shkreta dhe dëgjohen sirena që paralajmërojnë për rrezik. Në Oahu, banorët dhe turistët po zhvendosen në brendësi të vendit.

Më shumë dallgë po arrijnë në bregdetin e Havait, sipas Qendrës së Paralajmërimit për Cunami të Paqësorit.

Një valë prej 1.74 metrash u regjistrua në Kahului, në ishullin Maui, ndërsa një valë prej 1.5 metrash u regjistrua më parë në Hilo, Havai.

Kujtojmë se autoritetet e arkipelagut kanë shprehur optimizëm për rrjedhën e fenomenit, pasi deri më tani nuk ka lartësi ekstreme të valëve. Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave të Havait, megjithatë, ka marrë të gjitha masat e nevojshme të sigurisë për të mbrojtur banorët dhe turistët. Të gjitha portet tregtare janë mbyllur dhe fluturimet për në dhe nga ishulli Maui janë anuluar, por nuk ka plane për të ndërprerë furnizimin me energji elektrike.

Top Channel