
Një rënie e ndjeshme e importeve, e nxitur nga politikat tarifore të presidentit Donald Trump, ka ndihmuar në shtytjen e rritjes ekonomike të Shteteve të Bashkuara gjatë tremujorit prill–qershor.
Sipas Departamentit amerikan të Tregtisë, ekonomia më e madhe në botë u rrit me një ritëm vjetor prej 3%, pas një tkurrjeje në fillim të vitit. Rimëkëmbja, më e fortë se sa pritej, reflekton luhatjet në tregti dhe nxitimin e bizneseve për të importuar mallra përpara hyrjes në fuqi të tarifave të reja.
Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se ky zhvillim nuk është domosdoshmërisht tregues i forcës së qëndrueshme të ekonomisë.
BBC raporton se presidenti Trump përdori të dhënat për të sulmuar kreun e Rezervës Federale, Jerome Powell, përpara vendimit të shumëpritur mbi normat e interesit. Në një reagim në rrjetet sociale, Trump e quajti Powell “Z. Tepër Vonë”, duke i bërë thirrje të ulë normat:
“Shifrat janë shumë më të mira se pritshmëritë! ‘Tepër Vonë’ tani duhet të veprojë. S’ka inflacion! Le të blejnë njerëzit, le të rifinancojnë shtëpitë!”, shprehet Trump.
Por analistët mendojnë se të dhënat mund t’i japin më shumë arsye bankës qendrore për të pritur. Sipas Bernard Yaros, ekonomist në Oxford Economics, “qëndrueshmëria e ekonomisë do t’i lejojë Rezervës Federale të qëndrojë e kujdesshme dhe të vlerësojë ndikimin e tarifave përpara se të veprojë në dhjetor”.
Ndërkohë, një tregues kyç që mat shpenzimet dhe investimet e konsumatorëve ka rënë nga 1.9% në 1.2%, çka sipas disa ekonomistëve është një pasqyrë më realiste e gjendjes ekonomike aktuale.
“Nën sipërfaqe, ekonomia po ecën më ngadalë, por ende nuk është në rënie”, tha Yaros.
Top Channel