Prokuroria kërkon gjykim të menjëhershëm për vrasësin e Ilaria Sulës, caktohet data kur Mark Samson do të dalë para drejtësisë

30/07/2025 22:22

Mark Antony Samson, 23-vjeçari që ka pranuar se vrau ish-të dashurën e tij Ilaria Sula në mars të këtij viti në Romë, do të përballet me drejtësinë në një proces të posaçëm.

Gjykata e Hetimeve Paraprake në kryeqytetin italian ka pranuar kërkesën e Prokurorisë për gjykim të menjëhershëm, ndërsa seanca e parë do të mbahet më 12 nëntor në ambientet e sigurisë së lartë të burgut Rebibbia.

Ngjarja makabre ndodhi në një apartament në lagjen “Afrikane” të Romës, ku Ilaria, vetëm 22 vjeçe, u godit me thikë tre herë në qafë. Më pas trupi i saj u fut në një valixhe dhe u hodh nga një shkëmb në zonën malore të Capranica Prenestina.

Hetuesit kanë zbuluar se vrasja ishte planifikuar paraprakisht, me prova të qarta të dhëna nga mesazhet e gjetura në celularin e Samsonit, ku ai kishte shkruar: “Ose kthehet tek unë, ose do ta vras”.

Sipas prokurorit Giuseppe Cascini, krimi përmban disa rrethana rënduese, përfshirë paramendimin, motivet e kota dhe përpjekjen për fshehjen e trupit pas një marrëdhënieje të tensionuar emocionale.

Në dokumentet e gjykatës theksohet edhe qëndrimi i ftohtë i autorit pas ngjarjes. Gjykatësja Antonella Minunni shkruan se “pavarësisht deklaratave të tij për dashurinë ndaj viktimës, ai u kthye menjëherë në jetën normale pasi e vrau dhe e zhduku kufomën”.

Ndërkohë, nëna e të akuzuarit do të përballet me një gjykim të veçantë, pasi akuzohet për ndihmë në fshehjen e kufomës. Procesi i saj do të nisë më 10 dhjetor përpara një gjyqtari të vetëm.

Ky rast ka tronditur opinionin publik në Itali për shkak të brutalitetit të krimit dhe qetësisë së treguar nga autori pas ngjarjes.

Top Channel