Ndryshimi i klimës, thatësirë rekord e regjistruar në fillim të korrikut në Mesdhe

30/07/2025 09:13

Më shumë se gjysma e tokës në Evropë dhe rajonin e Mesdheut (52%) u prek nga thatësira në fillim të korrikut, sipas një analize të AFP-së mbi të dhënat më të fundit të Observatorit Evropian të Thatësirës (EDO).

Kjo përfaqëson përqindjen më të lartë të regjistruar ndonjëherë për periudhën 1–10 korrik, që nga fillimi i matjeve në vitin 2012. Ky nivel është gjithashtu 21 pikë përqindjeje mbi mesataren për të njëjtën periudhë gjatë viteve 2012–2024. Megjithatë, niveli i thatësirës ka shënuar një rënie të lehtë krahasuar me dhjetëditëshin e fundit të qershorit, kur u shënua rekordi historik prej 55.5% të tokës së prekur në rajonet evropiane dhe mesdhetare.

Indeksi Evropian i Thatësirës i projektit Kopernik, i bazuar në vëzhgime satelitore, përfshin tre parametra: Sasinë e reshjeve, lagështinë e tokës dhe gjendjen e bimësisë. Ky indeks ndahet në tre nivele, vëzhgim, paralajmërim dhe alarm.

Evropa Lindore më e prekur

Evropa Lindore është rajoni më i prekur. Në Kosovë, Serbi dhe Bullgari, pothuajse 100% e territorit është nën ndikimin e thatësirës, ndërsa më shumë se një e treta e tokës ndodhet në gjendje alarmi. Në Bullgari, ndërprerjet e furnizimit me ujë prekën mbi 156,000 banorë në mes të korrikut, për shkak të reduktimit të vazhdueshëm të burimeve ujore çdo vit.

Në Hungari, pothuajse gjysma e vendit (47%) ishte në nivel paralajmërimi në fillim të korrikut – një rritje e ndjeshme krahasuar me fundin e qershorit, kur kjo shifër ishte 21%.

Thatësira ka prekur rëndë edhe Mesdheun Lindor. Në Armeni, 95% e territorit është prekur, ndërsa në Turqi, ku 77% e tokës është e prekur, situata është përkeqësuar nga erërat e forta, duke nxitur shpërthimin e qindra zjarreve.

Siria dhe kriza ushqimore

Rreth gjysma e territorit të Sirisë është aktualisht e prekur nga thatësira, e cila kërcënon korrjet e grurit dhe vë mbi 16 milionë njerëz në rrezik të pasigurisë ushqimore gjatë këtij viti, sipas Kombeve të Bashkuara.

Situatë e përzier në Evropën Perëndimore

Në Evropën Perëndimore, situata paraqitet e ndryshme nga vendi në vend. Në Mbretërinë e Bashkuar, 18% e territorit është në nivel paralajmërimi – një rritje me më shumë se 6 pikë përqindjeje nga fundi i qershorit. Edhe Franca është prekur ndjeshëm, me 12% të territorit në nivel paralajmërimi, kryesisht në pjesën perëndimore të vendit. Në total, dy të tretat e territorit francez janë prekur nga thatësira.

Ndër të tjera, Spanja dhe Portugalia mbeten ndër vendet më pak të prekura, me përqindje shumë të ulëta të territorit nën ndikimin e thatësirës – përkatësisht 6% dhe 1%.

Top Channel