Mlladiç: Po vdes në burg, Gjykata e krimeve të luftës në Hagë refuzon kërkesën e kasapit të Ballkanit për t’u liruar

30/07/2025 12:26

Gjykata e Hagës ka refuzuar kërkesën e Ratko Mlladicit për lirimin e tij të përkohshëm për arsye humanitare, duke përmendur gjendjen e rënduar shëndetësore.

Ish-komandanti i Ushtrisë së Republikës Sërpska, entiteti serb i Bosnjës  u dënua në vitin 2021 me burgim të përjetshëm për gjenocid dhe krime lufte në Bosnje e Hercegovinë.

Në vendimin e nënshkruar nga kryetarja e Mekanizmit, Graciela Gatti Santana, thuhet se edhe pse vlerësimet mjekësore tregojnë se Mlladic i është afruar fundit të jetës, ai është duke marrë kujdes të gjithanshëm shëndetësor, gjë që është e dokumentuar në raportet mjekësore. Sipas gjykatës, Mlladic nuk vuan nga ndonjë sëmundje akute dhe terminale që do të mund të arsyetonte lirimin e tij.

Për më tepër, ai është duke marrë kujdes mjekësor cilësor dhe të përshtatur me nevojat e tij specifike. Gjykata thekson, gjithashtu, se janë ndërmarrë masa për t’i mundësuar atij kontakte të rregullta me familjen.

Ratko Mlladic qëndroi në arrati prej 16 vitesh para se të arrestohej në Serbi në maj të vitit 2011 dhe të ekstradohej gjashtë ditë më vonë në Hagë.

Ai u shpall fajtor për gjenocidin ndaj afro 8.000 boshnjakëve në Srebrenicë, zonë e mbrojtur nga OKB-ja në verën e vitit 1995, për ndjekje dhe zhvendosje të detyruar të boshnjakëve dhe kroatëve në mbarë Bosnjën, për terrorizimin e civilëve gjatë rrethimit të Sarajevës, si dhe për mbajtjen peng të paqeruajtësve të OKB-së gjatë bombardimeve të NATO-s në vitin 1995. Mlladic u dënua për 10 nga 11 pikat e aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

 

Top Channel