Meksika kërkon riatdhesimin e shtetasve të saj nga “Alcatrazi me aligatorë” në SHBA

30/07/2025 22:50

Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, ka kërkuar zyrtarisht nga autoritetet amerikane riatdhesimin e të paktën 30 shtetasve meksikanë që po mbahen në një qendër të diskutueshme paraburgimi në Florida, të njohur si “Alligator Alcatraz”.

Qendra, e ndërtuar në një zonë të izoluar kënetareske rreth 60 kilometra nga Miami, është kritikuar ashpër nga organizatat për të drejtat e njeriut për kushtet çnjerëzore, përfshirë mungesën e ujit të pijshëm, larjet vetëm çdo tre ditë dhe kapsulat e përmbytura me ujëra të zeza.

“Brenda ligjit amerikan, kërkojmë që ata të riatdhesohen menjëherë. Nuk ka arsye që qytetarët tanë të mbahen në këto kushte”, u shpreh presidentja meksikane.

Administrata Trump dhe zyrtarë lokalë të Floridës e kanë mbrojtur qendrën, duke theksuar vendndodhjen e saj të izoluar dhe masat e ashpra si garanci për sigurinë kombëtare. Ndërkohë, Konsulli i Meksikës në Miami u bë përfaqësuesi i parë i huaj që vizitoi objektin, duke e cilësuar përvojën e të ndaluarve si “shqetësuese dhe jo njerëzore”.

Top Channel