Kongresi amerikan pritet të votojë për publikimin e dosjeve Epstein, pas presionit të brendshëm në rritje Republika Çeke ka ndërmarrë një hap historik duke barazuar ligjërisht propagandën komuniste me atë naziste.
Presidenti Petr Pavel ka firmosur një ndryshim në Kodin Penal, i cili e vendos komunizmin në të njëjtin nivel ligjor me nacionalsocializmin, duke hapur rrugën për ndalimin e partive apo lëvizjeve që propagandojnë ideologji që shtypin liritë dhe të drejtat e njeriut.
Ligji i ri, që hyn në fuqi më 1 janar 2026, parashikon dënime deri në pesë vjet burg për këdo që themelon, mbështet apo përhap lëvizje me ideologji totalitare që nxisin urrejtje racore, etnike, fetare apo klasore. Nisma u shty përpara nga lëvizja qytetare “Nëntori nuk ka mbaruar ende”, e udhëhequr nga Martin Mejstrik – një figurë kyçe e “revolucionit të kadifenjtë” të vitit 1989 – dhe u mbështet nga qeveria proevropiane e kryeministrit Petr Fiala.
Historianë të Institutit për Studimin e Regjimeve Totalitare e kanë quajtur këtë një hap drejt drejtësisë historike. Por ky zhvillim ka shkaktuar debat të ashpër në vend, ku Partia Komuniste e Bohemisë dhe Moravisë ka ende mijëra anëtarë dhe një ndikim të konsiderueshëm politik.
Pas zgjedhjeve evropiane 2024, ajo hyri në Parlamentin Evropian si pjesë e koalicionit “Stacilo!” dhe pritet të garojë me sukses edhe në zgjedhjet parlamentare të tetorit 2025. Ish-kryeministri Andrej Babis, favorit për të fituar ato zgjedhje, nuk e ka përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me këtë koalicion, duke deklaruar se “për mua, ata nuk janë komunistë”.
Megjithatë, ligji i ri mund të vendosë partine komuniste në të njëjtën pozitë me Partinë e Punës Çeke, e cila u shpërbë në vitin 2010 për përhapje të ideologjisë naziste.
Kryetarja e komuniosteve dhe eurodeputetja Katerina Konecna e cilësoi ligjin si një sulm politik nga koalicioni qeverisës dhe përpjekje për të heshtur opozitën.
Top Channel