Kërkuan heqjen e masës “arrest me burg”, Gjykata e Lartë refuzon kërkesën e Arnold Rrokajt dhe Zambak Gjonit

30/07/2025 08:53

Gjykata e Lartë refuzoi kërkesën e Arnold Rrokajt dhe Zambak Gjonit të cilët kërkuan heqjen e masës arrest me burg shpallur ndaj tyre në prill të këtij viti.

Siç raporton gazetarja e Top Channel Anila Hoxha, vendimi u dha nga kolegji penal i përbërë nga Ilir Panda, Sander Simoni e Sokol Binaj.

Të dy të arrestuarit për të cilët SPAK nuk i ka mbyllur ende hetimet, dyshohen se ndërhynë në sistemet kompjuterike të SPAK në kuadër të grupit kriminal. Por deri më tani nën masën arrest në burg janë vetëm dy persona dhe pavarësisht se ka dyshime për grup kriminal ende nuk ka persona të tjerë të dyshuar, çka mund ta bëjë të vështirë mbajtjen e kësaj dosjeje nga prokurorët e posaçëm që duhet të mbledhin prova për të konfirmuar se një grup synoi të hakerojë SPAK.

Nga të dhënat e deritanishme ka dyshime se kompjuterat e tre prokurorëve u hakeruan nga Rrokaj pasi siç është shprehur ai, paswordet e pc të tre kompjuterëve ishin të sigurisë së ulët dhe të lehtë për t’u thyer.

Mbasi ka marrë prej andej tre dosje ai ja ka kaluar ish shefit të tij Zambak Gjoni që nga ana e tij i ka shpërndarë përmes aplikacioneve tek Agim Ismailaj një ish zyrtar i burgjeve, Dritan Palnikaj aktualisht sekretar i përgjithshëm në Ministrinë e Bujqësisë , që të dy të pyetur nga SPAK si deklarues .

Hakerimi ndodhi në muajin mars të këtij viti dhe menjëherë mbas dy arrestimeve SPAK sqaroi se nuk ishte ndërhyrë në sistem dhe se kishte identifikuar personat e dyshuar.

Top Channel