Gjermania miraton projektbuxhetin për 2026, miliarda euro për mbrojtjen

30/07/2025 13:29

Kabineti qeveritar gjerman miratoi të mërkurën një projektbuxhet për vitin 2026, thanë burime qeveritare, duke hapur rrugën për të shpenzuar qindra miliarda euro për infrastrukturë dhe mbrojtje, raporton DPA.

Buxheti i Ministrit të Financave, Lars Klingbeil, për vitin e ardhshëm parashikon shpenzime prej rreth 520 miliardë eurosh dhe një borxh të ri në vlerë rreth 174 miliardë euro.

Qeveria e re gjermane, që mori detyrën në maj, ka premtuar të rrisë ndjeshëm investimet për të përditësuar infrastrukturën e amortizuar të vendit dhe për të riarmatosur ushtrinë gjermane.

Buxheti për vitin 2025, i cili u miratua nga kabineti në qershor, mbetet ende në shqyrtim dhe pritet të miratohet në parlament pas pushimeve verore.

Buxheti për vitin pasues pritet të hidhet në votim në Bundestag, dhoma e ulët e parlamentit, në nëntor.

Projektbuxheti thekson si përparësi investimet për rritje ekonomike, më shumë punësim dhe modernizimin e Gjermanisë.

Ministri i Financave ka paralajmëruar këtë javë se nga viti 2027 priten masa të konsiderueshme kursimi, pasi në buxhetin federal parashikohet një mungesë fondesh prej rreth 172 miliardë eurosh./ REL

Top Channel