
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e ka nënshkruar të martën një ligj që ua mundëson ukrainasve mbi 60 vjeç që t’iu bashkohen forcave të armatosura, të cilat janë në pozitë të vështirë për të gjetur rekrutë, teksa lufta e nisur nga Rusia është nisur në vitin e katërt.
Ligji do t’iu mundësojë atyre të nënshkruajnë kontratë njëvjeçare për role joluftarake, nëse i kalojnë të gjitha testet mjekësore, sipas një shkrese të publikuar në faqen e parlamentit.
“Një numër në rritje i shtetasve të moshës 60-vjeçare apo më shumë, kanë shprehur dëshirën që vullnetarisht t’i bashkohen mbrojtjes së shtetit”, është thënë në shkresë.
“Është e domosdoshme që të përfshijmë numër më të madh të njerëzve që dëshirojnë ta mbrojnë sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës”.
Ukraina i ka lansuar disa iniciativa për të angazhuar më shumë njerëz në forcat e armatosura – përfshirë kontratat njëvjeçare dhe shtysat tjera financiare për personat e moshave 18-24 vjeç.
Ky shtet, gjithashtu, e ka zvogëluar moshën e mobilizimit nga 27 në 25 vjeç, në prill të vitit 2024, duke iu rezistuar thirrjeve të administratës amerikane që ajo të ulet edhe më tepër – në 18 vjeç.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022.
Presidenti rus, Vladimir Putin e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre. /rel
Top Channel