
Një 25-vjeçar është arrestuar në Himarë, pasi dyshohet se ka vjedhur 1400 euro nga automjeti i një pushuesi.
Si rezultat i veprimeve të shpejta të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Himarë, u bë e mundur identifikimi dhe arrestimi në flagrancë i autorit të dyshuar të vjedhjes së një shume parash nga automjeti i një pushuesi, shtetasit: A. S., 25 vjeç, banues në Kosovë.
Nga veprimet hetimore ka rezultuar se ky shtetas, në bashkëpunim me një shtetas tjetër, për të cilin vijon puna për kapjen, më datë 26.07.2025, ka vjedhur shumën prej 1400 euro nga automjeti i një pushuesi, i cili ishte i parkuar në plazhin e “Porto Palermos”.
Shuma e vjedhur, së bashku me automjetin tip Volkswagen, i cili dyshohet se është përdorur për kryerjen e vjedhjes, u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprën penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim.
Top Channel