Vijojnë reshjet e dendura të shiut në Kukës, autoritetet thirrje drejtuesve të mjeteve: Tregoni kujdes! Ja cilat akse janë problematike

29/07/2025 19:26

Vijojnë reshjet e dendura të shiut edhe gjatë pasdites në Kukës.

Moti i paqëndrueshëm ka sjellë vërshime të ujërave, kryesisht në rrugët e qytetit, veçanërisht në hyrje të Kukësit nga zona verilindore.

Reshjet kanë qenë intensive dhe kanë sjellë grumbullim të ujërave në sipërfaqe, por deri në këto momente nuk raportohet për dëme apo problematika serioze në infrastrukturë. Pavarësisht kësaj, në disa segmente urbane është vërejtur prani e materialeve inerte që janë sjellë nga rrjedha e ujit.

Situata paraqitet më e qetë në akset nacionale, të cilat deri tani nuk kanë shfaqur probleme për qarkullimin e automjeteve. Megjithatë, autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve që të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht në akset malore si ato të Shishtavecit, Bushtricës dhe Qafës së Malit, ku ka prezencë të rënies së gurëve dhe rrëshqitje të materialeve inerte në rrugë.

Sipas parashikimeve të motit, reshjet pritet të vijojnë edhe në orët në vijim, ndaj rekomandohet vigjilencë, sidomos për banorët në zonat më problematike dhe për ata që udhëtojnë në drejtim të zonave të thella malore.

Top Channel