Vdes Raffaele Fiore, pjesëmarrës në rrëmbimin e Aldo Moro dhe ish-udhëheqës i Brigadave të Kuqe

29/07/2025 20:43

Ka ndërruar jetë në moshën 71-vjeçare Raffaele Fiore, një nga figurat kyçe të Brigadave të Kuqe dhe pjesëmarrës në rrëmbimin famëkeq të liderit italian Aldo Moro në vitin 1978.

Lajmi është konfirmuar nga avokati Davide Steccanella, mbrojtësi i një tjetër ish-anëtari të grupit, Lauro Azzolini.

Fiore, i lindur më 7 maj 1954 në Bari, u arrestua në Torino në vitin 1979 dhe u dënua me burgim të përjetshëm gjatë procesit të njohur si “Moro Uno”. Në vitin 1997 iu dha liria me kusht dhe punoi në një kooperativë – masë që u konfirmua edhe një dekadë më vonë. Ai nuk u pendua dhe nuk u distancua kurrë nga veprimtaria e tij e kaluar.

Fiore drejtoi degën torineze të Brigadave të Kuqe dhe ishte mes autorëve të atentatit të 16 marsit 1978 në rrugën Via Fani në Romë, ku mbetën të vrarë pesë truprojat e Aldo Moros. Sipas hetimeve, ai ishte një nga katër militantët e maskuar si ushtarakë që hapën zjarr mbi eskortën. Armët e tij u bllokuan në momentin e sulmit, çka i pengoi të qëllonte mbi makinën ku ndodhej ish-kryeministri italian.

Vdekja e Fiores rikthen në vëmendje një nga faqet më të errëta të historisë moderne italiane — rrëmbimin dhe më pas vrasjen e Aldo Moros, një ngjarje që tronditi Italinë dhe mbarë botën demokratike.

Top Channel