Tragjedi në Pekin! 34 viktima nga përmbytjet katastrofike në kryeqytetin kinez, evakuohen mijëra persona

29/07/2025 10:27

Pekini dhe provinca fqinje Hebei janë goditur nga reshje të dendura dhe përmbytje katastrofike që kanë shkaktuar të paktën 34 viktima, ndërkohë që dhjetëra mijëra banorë janë evakuuar, raportojnë mediat shtetërore kineze.

Sipas televizionit shtetëror CCTV, vetëm në distriktin Miyun të Pekinit janë konfirmuar 28 të vdekur, ndërsa dy të tjerë në Yanqing, një tjetër zonë periferike e kryeqytetit. Në provincën Hebei, rrëshqitjet e dheut të hënën morën jetën e katër personave, ndërsa tetë të tjerë rezultojnë të zhdukur.

Reshjet nisën fundjavën e kaluar dhe u intensifikuan të hënën, duke përfshirë pjesën veriore të Pekinit me një sasi të jashtëzakonshme prej 543.4 mm shi, sipas agjencisë Xinhua. Për shkak të situatës së rëndë, autoritetet evakuuan mbi 80,000 banorë nga zona të rrezikuara.

Në distriktin Miyun, përmbytjet shkatërruan infrastrukturën rrugore dhe linjat e komunikimit, ndërsa 136 fshatra mbetën pa energji elektrike. Për të përballuar situatën, u hapën portat e një rezervuari që ndodhej në nivelin më të lartë që prej ndërtimit të tij në vitin 1959, duke rritur rrezikun për zonat poshtë rrjedhës, shkruan Guardian.

Pamjet nga terreni tregojnë makina të shpërndara nga ujërat, shtylla të rrëzuara dhe pemë të shkulura me gjithë rrënjë. Në qytetin Taishitun, rreth 100 kilometra në verilindje të qendrës së Pekinit, rrugët u mbuluan nga uji dhe balta.

“Tërmeti” i përmbytjeve erdhi papritur dhe me forcë shkatërruese – “u përmbyt gjithçka për një çast”, tregon Zhuang Zhelin, i cili po pastronte baltën nga dyqani i tij me materiale ndërtimi së bashku me familjen.

Presidenti Xi Jinping ka dhënë urdhër për mobilizimin total të forcave të kërkim-shpëtimit për të minimizuar viktimat. Kryeministri Li Qiang konfirmoi se ka “humbje të konsiderueshme jetësh” në zonën e Miyunit.

Autoritetet e Pekinit lëshuan të hënën mbrëma nivelin më të lartë të alarmit për reshje dhe përmbytje, duke mbyllur shkollat, pezulluar ndërtimet dhe ndaluar aktivitetet turistike dhe ato në natyrë.

Krahas mobilizimit lokal, qeveria qendrore ka ndarë 50 milionë juanë (rreth 7 milionë dollarë) për ndihma emergjente në Hebei dhe ka dërguar ekipe të specializuara për përballimin e krizës.

Ngjarja e fundit rikthen kujtimet e përmbytjeve të vitit 2023, kur dhjetëra persona humbën jetën dhe mbi një milion banorë u detyruan të largoheshin nga shtëpitë. Kritikët e atëhershëm akuzuan qeverinë se kishte ndërtuar një “hendek mbrojtës” rreth kryeqytetit, duke rënduar situatën në Hebei.

Ndërkohë, ekspertët paralajmërojnë se ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu po intensifikojnë gjithnjë e më shumë fatkeqësitë natyrore në mbarë botën, duke përfshirë përmbytje, zjarre dhe valë të të nxehtit.

Top Channel