Tentoi të vidhte një makinë, por pronari i saj e zë “mat”/ Arrestohet 48-vjeçari në Lushnje

29/07/2025 09:46

Një 48-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga Policia e Lushnjës, teksa tentonte të vidhte një automjet në lagjen “Çlirimi”.

Ngjarja ndodhi ditën e hënë, kur shtetasi G. K., banues në Tiranë dhe me precedentë të mëparshëm penalë, u kap duke ndërhyrë në centralinën e një automjeti tip “BMW”, me qëllim vjedhjen e tij. Ai u pikas nga pronari i makinës, i cili njoftoi menjëherë forcat e rendit.

Shërbimet e Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Lushnjë, që ndodheshin në patrullim në zonë, reaguan menjëherë dhe arrestuan autorin në vendngjarje.

Gjatë kontrollit, policia sekuestroi mjetet me të cilat 48-vjeçari po përpiqej të manipulonte sistemin elektronik të automjetit.

Pas veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Lushnjës arrestuan në flagrancë shtetasin G. K. për veprën penale “Vjedhja”, e mbetur në tentativë.

Ndërkohë, vijojnë hetimet për të zbuluar nëse i arrestuari është i përfshirë edhe në raste të tjera vjedhjeje. Materialet iu referuan Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.

Top Channel