
Një tjetër rast i tentativës për kalim të paligjshëm të kufirit është goditur në aeroportin “Nënë Tereza”, falë bashkëpunimit mes Policisë shqiptare dhe autoriteteve britanike.
Policia Kufitare e Rinasit ka arrestuar në flagrancë një shtetas 41-vjeçar nga Gjeorgjia, i identifikuar si G. Z., i cili tentoi të udhëtonte drejt Mbretërisë së Bashkuar me dokumente të falsifikuara.
Fillimisht, G. Z. paraqiti në sportelin e Policisë një pasaportë gjeorgjiane dhe një kartë imbarkimi për fluturim drejt Budapestit, në përpjekje për të dalë në mënyrë të rregullt nga territori shqiptar. Megjithatë, falë monitorimit të vazhdueshëm nga ana e punonjësve të Policisë, ai u pikas te një portë tjetër dalëse, i gatshëm për t’u imbarkuar në fluturimin “Tiranë-Mançester”.
Menjëherë pas kësaj, shtetasi u shoqërua në vijën e dytë për kontroll më të detajuar, ku gjatë verifikimeve iu gjet një pasaportë greke me të dhëna të një shtetasi tjetër, si dhe një biletë fluturimi me po të njëjtat të dhëna. Nga ekzaminimet paraprake në laborator, pasaporta rezultoi e falsifikuar.
Në përfundim të hetimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Rinas arrestuan në flagrancë shtetasin G. Z., 41 vjeç, për veprën penale “Falsifikimi i pasaportave, letërnjoftimeve dhe vizave”, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Ky rast thekson edhe një herë rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërkombëtar, veçanërisht me autoritetet britanike, në luftën kundër migracionit të paligjshëm dhe falsifikimit të dokumenteve.
Top Channel