Pas disa muajsh thatësire dhe temperaturash të larta, veçanërisht gjatë korrikut, Kukësi është përfshirë në 24 orët e fundit nga reshje të dendura shiu, të shoqëruara me erë të fortë.

Komisioni i Mbrojtjes Civile pranë Prefekturës ka bërë të ditur se, pavarësisht intensitetit të reshjeve, qarkullimi në rrugët nacionale vijon normalisht.

Reshjet janë mirëpritur edhe nga HEC-i i Fierzës, i cili prej javësh po përballet me mungesë prurjesh nga burimet kryesore që furnizojnë liqenin, rezervuarin më të madh të kaskadës së Drinit.

Sipas të dhënave zyrtare, aktualisht niveli i liqenit të Fierzës është në kuotën 274.27 metra, ndërsa prurjet mesatare arrijnë vetëm 20 metra kub në sekondë. Kuota maksimale e liqenit është 296 metra, çka do të thotë se niveli aktual ndodhet rreth 22 metra nën maksimumin e lejuar.

Në hidrocentralin e Fierzës janë në funksion dy agregatë, ndërsa dy të tjerë qëndrojnë në gatishmëri. Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) njofton se situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.

Për momentin, për të përmbushur nevojat për konsum të brendshëm të energjisë elektrike, një pjesë e prodhimit sigurohet nga dy hidrocentralet e tjera të kaskadës së Drinit, ndërsa diferenca mbulohet përmes importit.

Top Channel