
Duke u djersitur dhe duke marrë frymë me vështirësi, të rinj polakë hedhin granata dhe ushtrohen për evakuimin e të plagosurve në një terren stërvitor jashtë Varshavës.
Në vend që të relaksohen në plazh, ata kanë zgjedhur të bëjnë stërvitje ushtarake gjatë pushimeve verore. Rreth 10 mijë burra dhe gra janë vullnetarizuar për programin njëmujor të paguar “Pushime me Ushtrinë”, që ministria e mbrojtjes e nisi për të promovuar shërbimin ushtarak mes të rinjve, ndërsa Polonia po forcon sigurinë e saj.
Anëtare e BE-së dhe NATO-s – që kufizohet me Bjellorusinë, Rusinë dhe Ukrainën – Polonia ka rritur kapacitetet e saj mbrojtëse që kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt 2022, nga frika se mund të ishte objektivi i radhës.
“Ky është një program i synuar kryesisht për të rinjtë që duan të zbulojnë jetën ushtarake gjatë muajve të verës. Ata do të kenë mundësinë të njohin rregullin dhe disiplinën e jetës ushtarake. Kjo është një hap i parë që na lejon të kuptojmë nëse kandidati dëshiron t’i bashkohet ushtrisë”, shprehet togerja Patrycja Adamska.
Stërvitja përfshin qitje, mësime në terren dhe mbrojtje ajrore të përgjithshme. Pjesëmarrësit, shumica të moshës 18 deri në 20 vjeç, kalojnë 27 ditë në një njësi, pas së cilës marrin një gradë dhe mund të vazhdojnë shërbimin ose të bëhen pjesë e rezervës.
“Pushimet me ushtrinë zakonisht paraqiten si një aventurë verore me gara dhe armë. Këtu, përkundrazi, japim gjithçka, e shtyjmë veten në kufi dhe japim maksimumin.” “Kam ndërmend t’ia kushtoj jetën një profesioni tjetër, por do të doja të bëhesha ushtar rezerve dhe të ndihmoja vendin tim nëse do të jetë e nevojshme”, thotë Michal Piekut, student masteri.
Nga zyra e rekrutimit të ushtrisë tha se programi “është një alternativë e shkëlqyer ndaj punëve verore”, pasi ata që e përfundojnë marrin një pagesë prej 1.400 eurosh.
Një tjetër student, Goran Meredith: “Kam qëlluar me armë disa herë më parë, por po, kjo është padyshim hera e parë që kam kontakt të përditshëm me një armë, sepse nuk kam një të tillë në jetën e përditshme. Siç e shihni, është shumë kërkuese fizikisht. Nuk është e pamundur, mendoj se edhe mënyra si e sheh gjërat ka shumë rëndësi: nëse do ta bësh, mundesh.”
Menjëherë pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, Polonia miratoi një ligj për sigurinë kombëtare që përfshinte synimin për “rritjen e personelit ushtarak”.
Ministria e mbrojtjes nisi programin “Pushime me Ushtrinë” vitin e kaluar, së bashku me ushtrime në shkolla dhe kampe fundjave për civilët, të promovuara përmes një fushate të gjerë në rrjetet sociale. Per polaket shembulli ukrainas i mësoi se ushtria profesioniste shteron brenda një viti nëse nuk mbështetet me rezerva të mjaftueshme
Top Channel