
Janë zbuluar autorët e dyshuar për rastet e fundit në Konispol dhe Dukat dhe po ndiqen penalisht.
Në Konispol u arrestua në flagrancë 25-vjeçari R.L., banues në fshatin Shalës, i cili kishte thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe kishte ndezur zjarr që shkaktoi djegien e 8 hektarëve me barishte dhe shkurre në fshatin Janjar. Një 51-vjeçar, S.I., banues në fshatin Janjar, dyshohet si bashkëpunëtor dhe po procedohet në gjendje të lirë.
Nga hetimet rezultoi se më 27 korrik 2025, rreth orës 23:30, R.L. së bashku me S.I. ndezën zjarr në një sipërfaqe kullote, duke shkaktuar dëme të mëdha në natyrë.
Ndërkohë, në Dukat, specialistët e Hetimit të Krimeve në Stacionin e Policisë Orikum kanë identifikuar një 15-vjeçar, i cili dyshohet për zjarrvënie në zonën e quajtur “Fëngu i Bozhanajve”. Zjarri ka përfshirë një sipërfaqe toke me shkurre dhe bimësi të ndryshme. Për këtë rast është ngritur procedim penal.
Materialet procedurale janë dërguar pranë Prokurorive përkatëse për veprime të mëtejshme.
Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë i bën apel qytetarëve që të mos ndezin zjarre për asnjë arsye dhe i fton të denoncojnë çdo rast zjarrvënieje apo paligjshmërie në numrin 112, duke iu garantuar anonimat dhe reagim të menjëhershëm nga autoritetet.
Top Channel