
Në sallën e ballos “Donald J Trump” në fushën e golfit Turnberry në Ayrshire, ishte e sigurt që presidenti amerikan do të ishte ai që do të tërhiqte gjithë vëmendjen.
Nën llambadarët vezullues, ai kaloi më shumë se një orë të hënën duke iu përgjigjur pyetjeve nga shtypi, me ndërhyrje të herëpashershme nga Sir Keir Starmer.
Trump foli për gjithçka, nga Nigel Farage deri te popullariteti i bashkëshortes së kryeministrit, Zonja Starmer.
Megjithëse e lavdëroi Starmerin, përgjigjet e Trumpit zbuluan edhe dallimet mes bindjeve të tij dhe politikave të qeverisë britanike.
Taksat dhe emigracioni
Trump i dha këshilla Starmerit se si të fitojë zgjedhjet e ardhshme përballë kërcënimit në rritje nga Reform UK i Farage.
Presidenti i përshkroi si Farage ashtu edhe Starmer si “burra të mirë”, por tha: “Mendoj se ai që është më i ashpër dhe më i aftë për çështjen e emigracionit do të fitojë zgjedhjet.”
Trump dhe Farage kanë një miqësi të vjetër dhe lideri i Reformës është parë në resortin Mar-a-Lago të Trumpit në Florida. Trump tha se “në përgjithësi, ai që ul më shumë taksat, ai që ofron çmime më të ulëta të energjisë dhe llojet më të mira të saj, ai që ju mban larg luftërave” do të jetë ai që do të fitojë në zgjedhje.
Farage e ka kritikuar vazhdimisht Starmerin për emigracionin dhe Reform ka pasur rritje në sondazhe. Trump gjithashtu sugjeroi që Starmer të ulë taksat, duke shtuar: “Unë kam parë që kur ulen taksat, rritet ekonomia.”
Varkat e vogla
Trump i tha Starmerit se Britania “nuk mund të lejojë njerëzit të hyjnë ilegalisht” dhe shtoi se politikanët evropianë “duhet të marrin vetë në dorë”, përndryshe rrezikojnë do ta kthejnë “një pjesë madhështore të botës” në “shkatërrim”.
Ai tha: “Nuk mund t’i lejoni njerëzit të hyjnë ilegalisht. Dhe çfarë ndodh është se, do të ketë vrasës, trafikantë droge, dhe çdo lloj personi tjetër që vendet e tjera nuk i duan, dhe ua dërgojnë juve, dhe na i dërgojnë neve, dhe ju duhet ta ndaloni këtë.”
Trump e ka vendosur emigracionin në qendër të fushatës së tij për rizgjedhje dhe ka kritikuar vazhdimisht udhëheqësit evropianë për mungesë të kontrollit të kufijve.
Duke iu drejtuar Starmerit, ai tha: “Kam dëgjuar që keni mbajtur një qëndrim më të fortë për këtë çështje.”
Në gjysmën e parë të këtij viti, gati 20,000 emigrantë kaluan Kanalin Anglez drejt Mbretërisë së Bashkuar, një rritje prej gati 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024 — një rekord për gjysmën e parë të vitit.
Përbuzje për Sir Sadiq Khan
Starmer u përpoq të mbronte mikun e tij, Sir Sadiq Khan, kryetarin e bashkisë së Londrës, i cili ka një armiqësi të vjetër me Trumpin.
I pyetur nëse do të vizitonte Londrën gjatë vizitës shtetërore në shtator, Trump tha: “Nuk jam adhurues i kryebashkiakut tuaj. Mendoj se ka bërë një punë të tmerrshme… një person i lig.”
Starmer ndërhyri duke thënë: “Ai është mik i imi, në fakt.”
Trump shtoi: “Mendoj se ka bërë një punë të tmerrshme. Por sigurisht që do të vizitoj Londrën.”
Ai dhe Khan kanë shkëmbyer shpesh akuza. Trump e ka akuzuar kryebashkiakun për “punë të tmerrshme në luftën kundër terrorizmit” dhe “keqmenaxhim të krimit”. E ka quajtur Khanin “humbës i pashpirt” dhe “turp kombëtar” dhe e ka akuzuar për “shkatërrimin e Londrës”. Khan ka thënë se beson se sulmet e Trumpit janë për shkak se ai është mysliman.
Një zëdhënës i Khanit tha më vonë: “Sadiq është i kënaqur që Presidenti Trump dëshiron të vijë në qytetin më të madh në botë. Ai do të shihte se si diversiteti ynë na bën më të fortë, jo më të dobët; më të pasur, jo më të varfër”.
“Ndoshta këto janë arsyet pse një numër rekord amerikanësh kanë aplikuar për shtetësi britanike gjatë presidencës së tij.”
Taksat për fermerët
Trump u krahasua me fermerët britanikë teksa kritikoi qeverinë për tatimin mbi trashëgiminë.
Ai tha: “Do të humbasin fermën për shkak të taksave mbi pasurinë? Kanë tokë por nuk kanë para. Edhe unë e kam përjetuar këtë.”
Qeveria e Starmerit ka ndryshuar sistemin e tatimit mbi trashëgiminë, duke përfshirë shumë fermerë. Trump, në krahasim, tha se ai e kishte ndryshuar ligjin në SHBA që fermerët të mos paguanin “asnjë taksë trashëgimie”. Ai ka thënë se shumë fermerë amerikanë kishin vrarë veten përpara se ai të hiqte këtë taksë.
Starmer e mbrojti politikën e tij, por paralajmërimet e Trumpit për vetëvrasjet do të forcojnë kritikët e kryeministrit.
Ndihma për Gazën
Trump premtoi të hapte qendra ushqimore në Gaza, duke kundërshtuar Binyamin Netanyahun, kryeministrin izraelit, lidhur me çështjen e fëmijëve që vuajnë nga uria.
Trump tha se qendrat nuk do të kenë gardhe dhe “njerëzit mund të hyjnë lirshëm, pa kufizime”. Ai shtoi: “Duhet t’i ushqejmë fëmijët.”
Netanyahu ka thënë se nuk ka uri në Gaza. Deri tani Trump ka mbështetur qëndrimet e liderëve izraelitë, por mund të mos jetë më aq i përputhur me ta.
I pyetur nëse ishte dakord me Netanyahun, Trump u duk i prekur nga pamjet e fëmijëve të uritur. “Nuk e di,” tha ai. “Bazuar në ato që shoh në televizion, do të thosha jo, sepse ata fëmijë duken shumë të uritur. Ne po japim shumë para dhe ushqim, dhe edhe shtete të tjera po kontribuojnë.”
Bisedimet me Putinin për Ukrainën kanë përfunduar
Trump zbuloi se nuk ishte më i interesuar të fliste me Presidentin Putin sepse tashmë e dinte rezultatin.
Ai e uli afatin që i kishte dhënë Putinit për të arritur armëpushim nga 50 ditë në vetëm 10–12.
Kjo përbën një ndryshim nga vizioni që ka shprehur muajt e fundit për t’i dhënë fund luftës duke biseduar me Putinin.
Ai tha: “Do të na duhet ta rishikojmë këtë dhe unë do ta reduktoj atë afat prej 50 ditësh në një numër më të vogël, sepse mendoj se e di tashmë përgjigjen, çfarë do të ndodhë. Nuk ka arsye të presim.”
Britania ka udhëhequr një koalicion mbështetësish të Ukrainës, dhe Starmer ka qenë në ballë të diskutimeve me SHBA-në për mbështetjen që do të ofrohet.
Subvencionet për turbinat me erë
Presidenti ka kritikuar prej kohësh Britaninë për ndërtimin e “mullinjve me erë” në Detin e Veriut dhe ka thënë se ata ia zënë pamjen nga fusha e tij e golfit.
Të hënën Trump e theksoi sërish këtë. “Era është forma më e shtrenjtë e energjisë dhe shkatërron bukurinë e fushave, livadheve dhe ujërave tuaja,” tha ai.
Ai shkoi më tej, duke sugjeruar që Starmer të nxjerrë më shumë naftë në Aberdeen. “Quhet kryeqyteti i naftës i Evropës dhe është një pasuri e madhe që ju e keni — nëse ndonjëherë mendoni të ndryshoni mendim për këtë,” tha ai. “Ju keni një pasuri të madhe dhe të vlefshme — shumë burime të vlefshme nën tokë — por ky është një vendim që ju duhet ta merrni.”
Këto komente bien ndesh me politikën e Laburistëve për të ndaluar dhënien e licencave të reja për naftë dhe gaz në Detin e Veriut. Starmer tha se Britania po kërkon një përzierje burimesh energjie teksa kalon drejt “energji të qëndrueshme dhe të pavarur”.
Mundësi për përjashtim nga tarifat
Trump dha sinjale se mund të mos vendosë tarifa të rënda mbi produktet farmaceutike britanike.
I pyetur nëse planet e tij për një taksë mbi importin e barnave do të prekin MB-në, ai tha: “Ne kemi një plan shumë të madh për farmacitë. Duam të sjellim shumë prej tyre sërish në Amerikë, aty ku duhet të jenë.
“Por edhe ju keni një industri të mirë farmaceutike — do të bashkëpunojmë edhe me ju për barnat.”
Trump gjithashtu sugjeroi se mund të ketë lëvizje pozitive për çështjen e çelikut.
Një marrëveshje në cilëndo fushë do të ishte lehtësim për Starmerin, marrëdhënia e të cilit me Trump e ka ndihmuar tashmë Britaninë të shmangë më të keqen e tarifave amerikane. Çdo lehtësim i mëtejshëm do të shihej si sukses.
Censura ndaj Truth Social
Trump dhe Starmer ndanë një moment me tone humori pasi presidenti amerikan u pyet nëse ishte i shqetësuar për ligjet e reja britanike për sigurinë online që mund të ndikojnë në platformat e rrjeteve sociale.
“Nuk mendoj se ai do të censurojë faqen time. A mund ta shcensurosh faqen time, të lutem?”, i tha Trump kryeministrit, mes të qeshurave të pranishmëve.
Duke buzëqeshur, Starmer u përpoq ta mbyllte temën, duke këmbëngulur se “nuk po censurojmë askënd”.
Ai tha se ligjet e reja, të cilat përfshijnë verifikimin e moshës për të parandaluar fëmijët të hyjnë në përmbajtje që promovojnë vetëvrasjen apo çrregullimet ushqimore, ishin “çështje mbrojtjeje të fëmijëve”.
Zonja Starmer është “shumë e respektuar”
Trump e mbushi me lëvdata bashkëshorten e kryeministrit. Presidenti tha se ajo është “një person i respektuar në gjithë Shtetet e Bashkuara”. Ai shtoi: “Nuk e di çfarë po bën [Starmeri], por ajo është po aq e respektuar sa ai. Nuk dua të them më shumë, se do futem në telashe. Por ajo është një grua e shkëlqyer dhe shumë e respektuar.”
Jeffrey Epstein
Trump është përballur me pyetje për marrëdhënien e tij me financierin e turpëruar Jeffrey Epstein dhe mohoi se i është kërkuar të falë Ghislaine Maxwell, bashkëpunëtorja e Epstein, e cila ndodhet në burg në Florida për trafik seksual.
“Kam të drejtë ta fal atë, por askush nuk më është afruar për këtë. Askush nuk më ka pyetur”, tha Trump. “Do të ishte e papërshtatshme të flas për këtë.”
Top Channel