Ministri i Jashtëm izraelit i përgjigjet thirrjes për njohjen e shtetit palestinez, Sa’ar: Fushatë e njëanshme, nuk i dorëzohemi presionit

29/07/2025 13:14

Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Sa’ar të martën hodhi poshtë presionin ndërkombëtar mbi vendin e tij për të rënë dakord për një armëpushim në Rripin e Gazës dhe për të njohur një shtet palestinez, duke e quajtur atë një “fushatë të njëanshme”.

Sa’ar u tha gazetarëve se përfundimi i konfliktit ndërsa Hamasi mbetet në pushtet në Gaza dhe vazhdon të mbajë pengje do të ishte “një tragjedi si për izraelitët ashtu edhe për palestinezët”.

“Kjo nuk do të ndodhë pavarësisht se sa presion do të ushtrohet mbi Izraelin”, tha ai, duke shtuar se Izraeli është gjithashtu gati për diplomaci.

Ministri izraelit gjithashtu e përshkroi situatën humanitare në Gaza si “të ashpër”, por tha se po përhapeshin gënjeshtra për urinë. Izraeli njoftoi të dielën një armëpushim 10-orësh në pjesë të enklavës palestineze dhe hapjen e korridoreve të reja për shpërndarjen e ndihmës humanitare.

Sipas Sa’ar, Izraeli është gati të bashkëpunojë me këdo që dëshiron të marrë pjesë në dërgimin e ndihmës humanitare nga ajri në Gaza, ndërsa akuzoi Hamasin jo vetëm për vjedhjen e ndihmës humanitare, por edhe për përfitimin prej saj dhe përdorimin e të ardhurave për të financuar operacionet e tij.

Top Channel