
Shane Devon Tamura, 27 vjeç, nga Las Vegasi, është identifikuar si autori i sulmit tragjik me armë zjarri në qendër të Manhattan-it, që përfundoi me pesë viktima të pafajshme dhe vetëvrasjen e autorit.
Ngjarja tronditi qytetin e Nju Jorkut dhe ngjalli pyetje mbi sigurinë dhe gjendjen mendore të autorit.
I lindur në Hawaii dhe me banim në Nevada, Tamura kishte një histori problemesh të shëndetit mendor, sipas asaj që u bë e ditur nga autoritetet.
Në një konferencë për shtyp, policia e Nju Jorkut rindërtoi lëvizjet e tij përpara ngjarjes së rëndë: ai kishte udhëtuar me makinë përmes Kolorados më 26 korrik, qëndroi në Nebraska më 27 korrik dhe më pas arriti në New Jersey të hënën pasdite, përpara se të hynte në Manhattan.
Atje, ai parkoi BMW-në e tij të zezë në Park Avenue dhe doli me një pushkë M4 në duar, duke u drejtuar drejt një ndërtese shumëkatëshe.
Sipas dëshmive, Tamura qëlloi menjëherë një oficer sigurie në hollin e ndërtesës, përpara se të hipte në ashensor.
Në një moment të pazakontë, ai lejoi një grua të dilte nga ashensori pa e lënduar, për të vazhduar më pas në katin e 33-të, ku ndodhet zyra e kompanisë Rudin Management. Atje, ai qëlloi dhe vrau një burrë tjetër, përpara se të vetëvritej.
Brenda makinës së tij, policia gjeti një arsenal armësh: një revolver të mbushur, municione, karikatorë, një gëzhojë pushke, si dhe një çantë shpine me ilaçet që i ishin përshkruar autorit. Nuk u gjetën eksplozivë.
Sipas CNN, Tamura kishte një leje të vlefshme për mbajtjen e armëve në Nevada – por kjo nuk përfshinte armë sulmi si pushka M4 që ai përdori në masakër.
Në të kaluarën, Shane Tamura kishte luajtur futboll amerikan dhe në një video të vitit 2015, ai paraqitet duke folur për sportin dhe jetën e tij me një ton të qetë dhe entuziast – një kontrast i thellë me ngjarjen e dhunshme që tronditi qytetin.
Hetimet vijojnë për të zbuluar motivet e sakta pas këtij sulmi, ndërsa komuniteti i Manhattan-it dhe më gjerë përballet me pasojat e një tjetër tragjedie që nxjerr në pah rrezikun e armëve dhe mungesën e kontrollit të duhur në rastet e personave me histori të problemeve mendore.
Top Channel