
Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, merr pjesë në Konferencën e Gjashtë të Kryetarëve të Parlamenteve të Unionit Ndërparlamentar, e cila mbahet në datat 29-31 korrik në Gjenevë dhe i kushtohet bashkëpunimit parlamentar, multilateralizmit për paqen, drejtësinë dhe prosperitetin.
Gjatë qëndrimit në Gjenevë, Kryetarja e Kuvendit Spiropali u takua sot pasdite me Presidenten e Bundestagut Gjerman, Julia Klöckner.
Kryetarja Spiropali diskutoi me Presidenten Klöckner mbi forcimin e marrëdhënieve të shkëlqyera mes dy vendeve, bashkëpunimin e suksesshëm mes Kuvendit dhe Budestagut dhe mbështetjen e Gjermanisë për objektivin strategjik të Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian brenda vitit 2030.
“Shqipëria dhe Gjermania po zhvillojnë marrëdhënie të shkëlqyera, një partneritet të fuqishëm e dinamik, shkëmbime të vazhdueshme të nivelit të lartë dhe bashkëpunim të suksesshëm në mjaft sektorë si drejtësia, siguria, punët e brendshme, energjia, arsimi, turizmi, etj. Mbështetja e Gjermanisë, si një ndër aleatët më të rëndësishëm politik, është thelbësore për avancimin e reformave, integrimin europian të Shqipërisë dhe zhvillimin, stabilitetin e paqen në rajon. Bashkëpunimi intensiv mes Kuvendit dhe Budestagut për thellimin e reformave, sidomos reformës në drejtësi dhe asaj zgjedhore do të vijojë në mbështetjen e Kuvendit për realizimin e objektivit kombëtar për përfundimin e negociatave brenda 2027 dhe anëtarësimin brenda 2030. Ne vlerësojmë vizionin dhe kontributin e veçantë të Gjermanisë për perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor nëpërmjet Procesit të Berlinit dhe nismave të tjera.”, u shpreh Spiropali.
Presidentja e Bundestagut, Klöckner, vlerësoi bashkëpunimin e gjithanshëm mes dy vendeve dhe nënvizoi se mbështetja e fuqishme e Gjermanisë për anëtarësimin e Shqipërisë në BE do të vijojë dhe Bundestagu do të bashkëpunojë e ndihmojë Kuvendin në lidershipin e procesit të integrimit europian.
Kryetarja Spiropali u takua pasditen e sotme edhe me Kryetarin e Knesset të Izraelit, Amir Ohana, me të cilin diskutuan mbi partneritetin politik, bashkëpunimin ekonomik dhe marrëdhëniet e ngushta mes Shqipërisë dhe Izraelit, të cilat i kanë rrënjët në miqësinë e thellë historike dhe aktin unik të shqiptarëve për shpëtimin e hebrenjve gjatë ditëve të errëta të Holokaustit. Shqipëria do të vijojë të jetë një zë i fuqishëm kundër antisemitizmit, pjesë e kontributit për respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut, kundër padrejtësive dhe diskriminimit të çdo lloji. Kuvendi dhe Knesset do të intensifikojnë ndërveprimin për të mbështetur marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe miqësinë e fortë mes dy popujve tanë.
Top Channel